Samiti i NATO-s në Ankara riktheu në qendër të vëmendjes një prej temave më delikate për balancat në Egje dhe Mesdheun Lindor: mundësinë që Turqia të përfshihet sërish në programin amerikan të avionëve luftarakë F-35.
Të lidhura
None found
Pas takimit me presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan, presidenti amerikan Donald Trump sinjalizoi se kjo çështje mbetet e hapur, duke theksuar se Uashingtoni do ta shqyrtojë. Ai përdori tone mjaft pozitive ndaj Erdogan dhe vlerësoi rolin e Turqisë në NATO.
Në Ankara, ky qëndrim u lexua si një zhvillim inkurajues. Erdogan u shpreh se pret një vendim pozitiv dhe kritikoi kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, duke thënë se ai nuk duhej të kundërshtonte blerjen e avionëve F-35 nga Turqia.
Nga pala greke, reagimet kanë qenë të kujdesshme, por të qarta. Mitsotakis deklaroi se Greqia nuk mund t’i diktojë SHBA-së se kujt duhet t’i shesë armë, por nënvizoi se për Turqinë ka pengesa ligjore për shkak të sistemit rus të raketave balistike S-400 që ajo zotëron. Ai shtoi gjithashtu se pilotët grekë do të nisin trajnimin në votin 2027 për avionët F-35 që Greqia do ti blejëa nga SHBA.

Edhe ministri i Jashtëm, Giorgos Gerapetritis, mbajti një qëndrim të prerë në deklaratat e tij. Sipas tij, aktualisht nuk diskutohet heqja e kufizimeve për Turqinë, pasi çdo ndryshim do të kërkonte një vendim të ri nga Kongresi amerikan.
Më i drejtpërdrejtë ishte ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, i cili tha hapur se Greqia nuk do të ishte e kënaqur nëse Turqia siguron F-35 ose motorë për avionë të gjeneratës së re. Ai i kërkoi Uashingtonit të reflektojë nëse një hap i tillë do t’u shërbente realisht interesave amerikane.
Në prapavijë mbetet edhe çështja e casus belli, kërcënimi turk për luftë nëse Greqia zgjeron ujërat territoriale në Egje. Mitsotakis e cilësoi këtë si një “anakronizëm historik”, që sipas tij nuk përputhet me klimën e dialogut mes dy vendeve.
Ndonëse Athina dhe Ankaraja kanë folur së fundmi për ujëra më të qeta në Egje, debati për F-35 dëshmon se ekuilibri mes tyre vijon të mbetet i brishtë.
