Pas sfidës së 1/16 së finales në Kupën e Botës 2026 mes Francës dhe Paraguajit, tensioni nuk është zbehur, ndërsa në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje që kanë ngjallur debat të madh.
Media franceze TF1 Info raportoi se gjatë festës tradicionale San Juan Ara në Paraguaj, disa pjesëmarrës i vunë flakën një kukulle të improvizuar që përfaqësonte kapitenin e Francës, Kylian Mbappe, në një veprim që është kritikuar gjerësisht si i papranueshëm.
Të lidhura
None found
Videot e këtij episodi qarkulluan me shpejtësi në rrjetet sociale dhe sollën reagime të ashpra në Francë, por edhe më gjerë në opinionin ndërkombëtar.
Humbja e Paraguajit ndaj Francës në fazën e 1/16 së finales duket se ka lënë pakënaqësi te një segment i tifozëve, me Mbappen, si figura kryesore e “Les Bleus”, që është shndërruar në shënjestrën kryesore të zemërimit të tyre.
Ky episod vjen në vijim të polemikave të mëhershme të nxitura nga deklarata me përmbajtje raciste të një senatoreje paraguaiane ndaj sulmuesit francez, deklarata që shtuan tensionin dhe provokuan reagime edhe në planin diplomatik.
Pas daljes publike të pamjeve ku digjej kukulla e Mbappes, shumë reagime e kanë përshkruar këtë si një akt të papranueshëm, ndërsa FIFA pritet të përballet me presion për ta shqyrtuar rastin dhe për të vendosur nëse do të marrë masa në lidhje me sjelljen e tifozëve dhe personave të përfshirë.
