Në çastet e fundit të humbjes 3-2 përballë Argjentinës në fazën e 1/8 së finales së Kampionatit Botëror, përzgjedhësi i Egjiptit, Hossam Hassan, kreu një gjest të debatueshëm në drejtim të arbitrit Francois Letexier.
Të lidhura
None found
Ekipi egjiptian kishte qenë shumë pranë një befasie të madhe, pasi kishte krijuar epërsi 2-0 gjatë 67 minutave të para, me golat e realizuar nga Yasser Ibrahim dhe Mostafa Ziko.
Por më pas gjithçka ndryshoi, teksa Argjentina reagoi fuqishëm dhe e ktheu rezultatin. Fillimisht Cristian Romero ngushtoi shifrat, më pas Lionel Messi riktheu baraspeshën, ndërsa Enzo Fernandez shënoi golin vendimtar në minutën e 92-të.
Lojtari i Chelsea shënoi me kokë nga afro 12 metra, duke vulosur përmbysjen dhe duke i dhënë Argjentinës kualifikimin për në çerekfinale.
Pas golit të Messit, futbollistët dhe stafi i Egjiptit shpërthyen në protesta, duke këmbëngulur se në aksionin që solli barazimin kishte pasur faull. Pakënaqësia u shtua edhe më shumë për shkak se më herët Egjiptit i ishte anuluar një gol për një faull në ndërtimin e aksionit.
Në mbyllje të ndeshjes, situata u tensionua edhe në pankinë, kur arbitri Letexier ndëshkoi me karton të verdhë një pjesëtar të stafit të Egjiptit.
Ishte pikërisht në atë moment që Hossam Hassan bëri me duar një shenjë në formë “X” në drejtim të gjyqtarit, një gjest që zakonisht përdoret për të sinjalizuar raste të dyshuara të abuzimit racist, edhe pse mbetet e paqartë nëse trajneri egjiptian e kishte pikërisht këtë domethënie.
Një episod i ngjashëm ishte regjistruar në vitin 2010, kur ish-trajneri i Inter, Jose Mourinho, kreu një veprim të përafërt ndaj një zyrtari të ndeshjes. Atëherë ai u cilësua si gjest ofendues, pasi u interpretua si simbol i prangave, dhe Mourinho u pezullua më vonë për tri ndeshje.
Pas reagimit të Hassan, ndërhyri një futbollist rezervë i Egjiptit, ndërsa Ibrahim, vëllai i tij dhe ndihmësi në staf, iu afrua dhe ia uli duart.
Më pas, Letexier pati një bisedë të gjatë me trajnerin dhe përfaqësuesit e stafit egjiptian. Para se të kthehej në fushë, Ibrahim i bëri arbitrit një shenjë pozitive me gishtin e madh.
Deri në këtë moment, nuk ka ende informacion nëse arbitri ka ndërmarrë ndonjë masë tjetër disiplinore në lidhje me këtë incident.
