Sipas John Terryt, Anglia duhet ta frenojë Martin Odegaardin nëse synon të mposhtë Norvegjinë dhe të sigurojë kualifikimin për në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.
Të lidhura
None found
Këtë vlerësim, legjenda e Chelseat dhe ish-kapiteni i Anglisë e dha pasi Tre Luanët prenë biletën për në çerekfinale falë fitores spektakolare 3-2 ndaj Meksikës, në një sfidë ku Jude Bellingham shënoi dy herë, ndërsa Harry Kane realizoi nga penalltia.
Terry e përshkroi atë triumf si një nga performancat më mbresëlënëse të Anglisë ndër vite, duke e vendosur përkrah suksesit historik 5-1 kundër Gjermanisë.
“Ishte një paraqitje gjigante. E vetmja ndeshje që mund ta krahasoj me këtë gjatë jetës sime është fitorja 5-1 ndaj Gjermanisë”.
“Pamë lojtarë që morën përgjegjësi në fazën me eliminim direkt. Ata u ngritën në momentin e duhur. Mendoj se ishte një paraqitje e jashtëzakonshme”.
Ish-mbrojtësi anglez rezervoi vlerësime të mëdha edhe për Jude Bellinghamin, duke e krahasuar mesfushorin me një prej figurave më të mëdha të futbollit botëror.
“E kam krahasuar me Zinedine Zidane dhe ndoshta kam qenë paksa ambicioz, por ajo që bëri mbrëmë ishte e pabesueshme. Dy golat vetëm sa e kompletojnë paraqitjen e tij, ndërsa edhe pasimi i Harry Kanes për golin e dytë ishte fantastik”.
“Harry Kane e ka treguar këtë gjatë gjithë karrierës së tij. Edhe Jude Bellingham, në këtë moshë, po bën gjëra të jashtëzakonshme. Po ashtu Declan Rice dhe Reece James. Ata nuk duhet të lëndohen dhe duhet të jenë në qendër të suksesit tonë”.
Megjithatë, Terry theksoi se Norvegjia mbetet një rival tejet i rrezikshëm dhe nënvizoi veçanërisht ndikimin e Martin Odegaardit në lojën e saj.
“Norvegjia është një skuadër e mirë dhe shumë e organizuar. Mendoj se gjithçka e mirë që bën kjo skuadër kalon përmes Martin Odegaardit”.
“Nëse Anglia arrin ta ndalë atë dhe Erling Haalandin, atëherë kemi një shans shumë, shumë të madh”, përfundoi Terry./
