Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, njoftoi këtë të hënë nisjen e procesit për shprehjen e interesit nga prokurorët që synojnë tre vende si anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas komunikimit zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme, mandatet e tre anëtarëve aktualë të KLP-së mbyllen më 18 dhjetor 2026.
Në njoftim theksohet se, në bazë të nenit 107 të ligjit 115/2016, thirrja është hapur pasi më 18 dhjetor 2026 përfundon mandati për tre anëtarë të KLP-së: një të zgjedhur nga radhët e prokurorëve të shkallës së parë, një nga prokurorët e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe një nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme.
Të lidhura
None found
Po ashtu, bëhet e ditur se prokurorët e interesuar duhet ta paraqesin me shkrim kërkesën e tyre deri më 21 korrik, drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, i cili më pas thërret Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve të të gjitha niveleve për zgjedhjen e kandidatëve.
“Ftohen prokurorët nga radhët e prokurorive të shkallëve të para të juridiksionit të përgjithshëm dhe të Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përfshirë dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që plotësojnë kriteret sipas ligjit 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të shprehin interesin e tyre për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë në adresën elektronike [email protected] dhe adresën postare të Prokurorisë së Përgjithshme: Rruga Qemal Stafa, Nr.01,1001, Tiranë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
