Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan për 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë, ndërsa ka shprehur mirënjohjen e Republikës së Kosovës për mbështetjen e pandërprerë amerikane.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca është shprehur se 4 Korriku i vitit 1776 nuk përfaqëson vetëm shpalljen e pavarësisë së SHBA-së, por edhe lindjen e një ideje që, sipas tij, ndryshoi rrjedhën e historisë moderne, duke vendosur në bazat e shtetit demokratik lirinë, dinjitetin njerëzor dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi qeverisjen.
Të lidhura
None found
Ai ka nënvizuar se parimet e Deklaratës së Pavarësisë u kthyen në frymëzim për popujt që përpiqen për liri, vetëvendosje dhe barazi, duke shtuar se edhe rrugëtimi historik i popullit të Kosovës lidhet me këto ideale.
Konjufca ka përmendur edhe rolin historik të presidentit amerikan Woodrow Wilson, duke vlerësuar se pozicioni i tij në Konferencën e Paqes në Paris i dha peshë së drejtës së popujve për të përcaktuar të ardhmen e tyre.
Sipas Konjufcës, në periudhat më të vështira të historisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë në krah të popullit të Kosovës, duke mbështetur të drejtën e tij për liri dhe shtet.
“Duke shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së saj, populli ynë nderon jo vetëm trashëgiminë e një shteti mik, por edhe madhështinë e një ideje që ka frymëzuar breza: se historia përparon kur popujt guxojnë ta lidhin fatin e tyre me lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor”, ka shkruar Konjufca.
Në mbyllje të mesazhit të tij, ai ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan me rastin e Ditës së Pavarësisë.
