Shirat e dendur dhe breshri që goditën disa zona të rajonit të Shkupit, si edhe qytete të tjera të vendit, kanë lënë pasoja të mëdha në bujqësi. Sipërfaqe të shumta të mbjella janë përmbytur, ndërsa fermerët kanë denoncuar dëme në kulturat bujqësore, sidomos te perimet, pemëtaria dhe mbjelljet e tjera sezonale.
Të lidhura
None found
Në rajonin e Pelagonisë, bujqit kanë njoftuar për dëme të mëdha nga breshri në plantacionet e duhanit. Ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të dalin në terren, të regjistrojnë dëmet dhe të marrin masa për kompensimin e humbjeve.
I pyetur për vlerësimin e dëmeve dhe dëmshpërblimin, kryeministri Hristijan Mickoski dha një përgjigje të shkurtër, duke thënë se dëmi do të kompensohet, por pa dhënë hollësi të tjera.
“A do të siguroni dëmshpërblim për bujqit të cilët pësuan dëme nga moti i lig. ”Sa i përket dëmshpërblimit të bujqve, po sigurisht.” tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Në fshatin Shishovë të Komunë të Sarajit, pas breshrit, një fermer ka publikuar pamje nga ara e mbjellë me pjepër, e cila sipas tij është dëmtuar pothuajse në tërësi.
Edhe fermerët e Strumicës kanë shpërndarë pamje të shalqirit të dëmtuar, për të cilin thonë se ishte gati për të dalë në treg, por u shkatërrua plotësisht nga breshri.
Lidhur me dëmshpërblimet për pasojat e shkaktuara nga breshri dhe reshjet e shiut në vitet e kaluara, sipas informatave, ende ka fermerë në rajone të ndryshme që thonë se nuk i kanë marrë kompensimet e viteve të mëparshme.
Përveç pasojave në prodhimet bujqësore, reshjet kanë sjellë vështirësi edhe në infrastrukturën rurale, duke dëmtuar rrugë lokale dhe sisteme kulluese. Autoritetet bëjnë të ditur se është formuar shtabi i krizave, ndërsa në ditët në vijim pritet që inspektorët të dalin në terren për të bërë vlerësimin e plotë të gjendjes./Alsat/
