Gjermania ka hyrë në gjendje gatishmërie në prag të kongresit federal të Alternativës për Gjermaninë, partisë së djathtë që do të mblidhet në Erfurt më 4 dhe 5 korrik.
Të lidhura
None found
Në kryeqytetin e Turingisë po përgatiten protesta kundër këtij aktiviteti, si reagim ndaj deklaratave dhe qasjes së përgjithshme armiqësore që AfD ka mbajtur ndaj diversitetit shoqëror. Kundërshtimi po organizohet nga disa koalicione.
Sipas autoriteteve, në protestat e paralajmëruara pritet të marrin pjesë rreth 50 mijë vetë, ndërsa për ruajtjen e rendit dhe sigurisë janë angazhuar mijëra efektivë policie. Tubimet po thirren nga një koalicion i gjerë i shoqërisë civile, ku përfshihen kisha, sindikata, organizata për të drejtat e njeriut, parti politike dhe klube sportive. Krahas protestave, janë bërë edhe thirrje për bllokimin e zhvillimit të kongresit.
Veç situatës jashtë sallës, kongresi pritet të shoqërohet edhe me një përballje të fortë për peshën politike brenda vetë partisë. Dy bashkëkryetarët aktualë, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, pritet të konfirmohen sërish në detyrë, ndërsa gara për postet e tjera drejtuese shihet si përcaktuese për orientimin e ardhshëm të AfD-së.
Tensioni është shtuar edhe nga deklaratat e fundit të disa figurave drejtuese të partisë, të cilat u denoncuan si komente raciste ndaj lojtarëve të kombëtares gjermane të futbollit. Në të njëjtën kohë, në Gjermani vijon debati për një ndalim të mundshëm të kësaj force politike. Një raport i publikuar së fundmi nga juristë të së drejtës kushtetuese e përshkruan partinë si antikushtetuese, ndërsa disa forca politike kanë kërkuar nisjen e procedurave për ndalimin e saj.
Megjithë polemikat, AfD ka vijuar të zgjerojë mbështetjen elektorale, sidomos në Gjermaninë Lindore, ku synon të marrë drejtimin e disa landeve në zgjedhjet rajonale të shtatorit.
