Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Lëvizja FOL kanë vlerësuar se deri në këtë fazë, procesi për përzgjedhjen dhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit ka ecur rregullisht, me transparencë dhe me trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët.
Në komunikatën e tyre të përbashkët, këto organizata kanë bërë të ditur se kanë monitoruar të gjitha etapat kryesore të këtij procesi, duke përfshirë miratimin e rregullativës, konfirmimin e kandidaturave, përpilimin e pyetjeve dhe intervistimin e pesë kandidatëve.
Të lidhura
None found
Sipas koalicionit të OJQ-ve, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka trajtuar një pjesë të konsiderueshme të mangësive që ishin evidentuar në procesin e kaluar për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Ata theksojnë se ndryshimet e bëra në rregullore i kanë përafruar procedurat me legjislacionin në fuqi, kanë sqaruar kompetencat dhe kanë hequr paqartësitë procedurale.
Organizatat kanë vlerësuar pozitivisht edhe publikimin e konceptdokumenteve të kandidatëve, duke nënvizuar se ky veprim ka forcuar transparencën dhe i ka dhënë mundësi publikut dhe mediave të njihen paraprakisht me vizionin e secilit kandidat.
Në raport thuhet se gjatë fazës së verifikimit të kandidaturave nuk janë hasur probleme përmbajtësore dhe se të pesë kandidatët i kanë përmbushur kriteret ligjore për të vazhduar garën.
Sipas gjetjeve nga monitorimi, hartimi i pyetjeve standarde është bërë në prani të monitoruesve dhe i gjithë procesi është incizuar me audio dhe video, ndërsa janë marrë masa për të garantuar konfidencialitetin dhe integritetin e tij.
Koalicioni vlerëson se konstatimi më i rëndësishëm lidhet me faktin se gjatë intervistimit nuk është vërejtur trajtim i pabarabartë ndaj kandidatëve. Të gjithë janë intervistuar në rrethana të njëjta, kanë marrë të njëjtat pyetje standarde, kanë pasur kohë të barabartë për përgjigje dhe janë vlerësuar menjëherë pas përfundimit të intervistave.
Po ashtu, monitoruesit nuk kanë evidentuar komunikim mes anëtarëve të Panelit Vlerësues që do të mund të ngrinte dyshime për koordinim të vlerësimeve ose për cenim të pavarësisë së procesit.
IKD, KDI dhe FOL kanë theksuar se, për shkak se diferenca në pikë mes kandidatëve është e vogël, edhe fazat e mbetura deri te emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit duhet të zhvillohen me kujdes, transparencë dhe në përputhje me parimet e ligjshmërisë, meritokracisë dhe barazisë.
Koalicioni ka njoftuar gjithashtu se do ta vazhdojë monitorimin deri në përmbylljen e të gjitha procedurave, ndërsa raporti përfundimtar do të bëhet publik pas mbylljes së procesit.
