Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajlovski, ka bërë sot një përmbledhje të rezultateve në fushën e mbrojtjes dhe të Ushtrisë gjatë dy viteve të fundit, duke nënvizuar se vendi mbetet i sigurt dhe se modernizimi i Ushtrisë po vazhdon.
Të lidhura
None found
Duke folur për procesin e modernizimit, Misajlovski tha se, në përputhje me buxhetin dhe planifikimin e bërë, po përmbushen të gjitha obligimet. Ai theksoi se, edhe pse kjo krijon presion serioz mbi buxhetin e mbrojtjes, nuk ka asnjë vonesë në ardhjen e pajisjeve.
Sipas tij, si furnizimi me pajisje ashtu edhe zhvillimi i personelit po ecin me ritëm intensiv.
Ministri deklaroi se buxheti tashmë është mbi 2 përqind dhe se, siç u dëgjua dje nga udhëheqësit e NATO-s, në total vendi është mbi 4 përqind. Ai e cilësoi këtë si një lajm shumë të rëndësishëm, si për institucionin që drejton, ashtu edhe për shtetin, pasi sipas tij po investohet në të gjitha kapacitetet.
Misajlovski u ndal edhe te 16 marrëveshjet e nënshkruara me Shtetet e Bashkuara, me vlerë të përgjithshme prej 339 milionë dollarësh amerikanë. Ai sqaroi se një pjesë e kësaj shume mbulohet nga buxheti i Maqedonisë, ndërsa pjesa tjetër vjen si mbështetje nga Shtetet e Bashkuara.
Po ashtu, ai përmendi edhe ndihmën e Bashkimit Evropian përmes Fondit Evropian për Paqe, në vlerë totale mbi 40 milionë euro. Bëhet fjalë për pajisje të ndara në tre dërgesa, ku e para ka mbërritur e plotë, ndërsa pajisjet nga dërgesa e dytë janë aktualisht në ardhje.

