Bashkimi Evropian ka ndryshuar rregullat për importet e vogla nga vendet e treta, duke i dhënë fund përjashtimit doganor që deri tani lejonte hyrjen pa pagesë të dërgesave me vlerë të ulët. Si pasojë, konsumatorët në Evropë nuk do të blejnë më nga platforma të njohura kineze si Shein, Temu dhe AliExpress me kushtet e mëparshme, të cilat i bënin këto produkte shpesh dukshëm më të lira se mallrat e prodhuara brenda BE-së.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se nga 1 korriku, porositë online nga jashtë BE-së me vlerë deri në 150 euro nuk përfitojnë më nga përjashtimi doganor.
Të lidhura
None found
Sipas Brukselit, ky ndryshim synon të vendosë konkurrencë më të drejtë për kompanitë evropiane dhe njëkohësisht të rrisë mbrojtjen e konsumatorëve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se masa e re është menduar për t’u siguruar kompanive të BE-së kushte më të ndershme në treg dhe për t’u garantuar qytetarëve mbrojtje më të fortë.
Ajo theksoi në X se një numër i madh i këtyre mallrave nuk i respektojnë standardet e sigurisë së BE-së, duke i vënë konsumatorët përballë rreziqeve.
Në njoftimin e Komisionit Evropian thuhet se mallrat e blera online në vendet e treta dhe të dërguara drejtpërdrejt te konsumatorët do t’i nënshtrohen tashmë një tarife doganore prej 3 eurosh për çdo kategori produkti.
Formalisht, pagesa e kësaj tarife u takon platformave online ose kompanive që shesin dhe importojnë mallrat. Megjithatë, Komisioni Evropian ka pranuar se nuk mund të parashikojë nëse kjo barrë shtesë do të reflektohet te konsumatorët nëpërmjet rritjes së çmimeve.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podesta, sqaroi se tarifa prej 3 eurosh nuk duhet të paguhet nga konsumatorët, por nga shitësit ose platformat online që tashmë kanë detyrimin për ta shlyer atë. Ajo shtoi se Komisioni nuk mund të flasë në emër të shitësve apo platformave për mundësinë e rritjes së çmimeve, por përgjegjësia për pagesën nuk bie mbi blerësit.
Tarifa nuk do të llogaritet për çdo paketë, por sipas llojit të produktit. Kjo nënkupton se nëse blihen disa copë ose madhësi të të njëjtit artikull, si për shembull pesë bluza të njëjta me numra të ndryshëm, do të aplikohet vetëm një taksë prej 3 eurosh.
Nga ana tjetër, kur në një dërgesë të vetme përfshihen kategori të ndryshme mallrash, për shembull një bluzë, një orë dhe një lodër, atëherë për secilën kategori do të ngarkohet veçmas një tarifë prej 3 eurosh, edhe nëse të gjitha produktet mbërrijnë në të njëjtën paketë.
Podesta kujtoi se përjashtimi ishte krijuar fillimisht për të shmangur kostot e larta administrative për blerjet me vlera të vogla, por theksoi se kushtet aktuale janë krejt ndryshe, pasi në Bashkimin Evropian mbërrijnë çdo ditë miliona pako të tilla.
Ajo theksoi gjithashtu se kompanitë e BE-së që importojnë mallra me shumicë paguajnë detyrime doganore, ndërsa platformat e mëdha online nga vendet e treta kanë mundur t’i dërgojnë produktet drejtpërdrejt te konsumatorët pa këto kosto. Sipas saj, kjo ka dëmtuar konkurrencën e barabartë në treg, ndërsa heqja e përjashtimit krijon kushte të njëjta për bizneset evropiane.
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, vetëm gjatë vitit 2025 në tregun e BE-së kanë hyrë 5.9 miliardë artikuj në pako me vlera të vogla nga vendet e treta pa paguar doganë.
Kjo përkthehet në më shumë se 16 milionë pako që kalojnë çdo ditë nëpër doganat evropiane për konsumatorët. Sot, dërgesat me vlerë të ulët përbëjnë 97 për qind të të gjithë artikujve të importuar në BE, por vetëm 2 për qind të vlerës së përgjithshme të importeve.
Në njoftimin e KE-së thuhet se, me ndryshimin e modeleve tregtare, konkurrenca në këtë sektor nuk është më e barabartë. Sipas Komisionit, rregulli i përjashtimit është keqpërdorur rregullisht përmes nënvlerësimit të mallrave ose ndarjes artificiale të porosive në disa pako, me qëllim që të mbeteshin nën pragun prej 150 eurosh.
Brukseli vlerëson se rregullat e reja do të vendosin barazi mes tregtarëve evropianë që importojnë mallra me shumicë dhe platformave të mëdha online jashtë BE-së.
Në të njëjtën kohë, pritet që këto masa të ndihmojnë edhe në përballimin e problemeve mjedisore të lidhura me zgjerimin e shpejtë të tregtisë elektronike, përfshirë rritjen e mbetjeve nga paketimet dhe emetimet e krijuara nga transporti.
Sistemi i ri do të përfshijë edhe identifikues produktesh (PID) për mallrat e importuara, çka do t’u japë autoriteteve doganore mundësi më të lehtë për të zbuluar produktet e pasigurta dhe mallrat që nuk përputhen me standardet e BE-së. Përdorimi i tyre do të jetë vullnetar nga 1 korriku 2026, ndërsa i detyrueshëm nga nëntori i po këtij viti.
Komisioni Evropian thotë se një hulumtim i kryer gjatë vitit 2025 ka treguar se më shumë se 60 për qind e mallrave me vlerë të ulët që hyjnë në BE nuk janë në përputhje me standardet evropiane të sigurisë ose me rregullat për cilësinë e produkteve, duke ngritur shqetësime për praninë e substancave toksike dhe etiketimin e pasaktë.
Me rregullat e reja, platformat online do të trajtohen si “importues i supozuar”, çka do të thotë se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për sigurinë e produkteve dhe mund të ndëshkohen nëse mallrat nuk i plotësojnë standardet e BE-së.
Tarifa doganore prej 3 eurosh është parashikuar si masë e përkohshme dhe do të mbetet në fuqi deri në korrik 2028, kur pritet të vihet në funksion Qendra e re Doganore e të Dhënave e Bashkimit Evropian. Pas kësaj, do të zbatohen tarifat standarde, në varësi të klasifikimit tarifor, origjinës dhe vlerës së produktit.
Kjo nismë është pjesë e reformës më të gjerë të sistemit doganor të BE-së, e miratuar nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare në mars 2026. Reforma parashikon edhe vendosjen e një tarife të veçantë për përpunimin e dërgesave nga tregtia elektronike nga nëntori 2026, me synimin për t’i ndihmuar shërbimet doganore të përballojnë kostot në rritje që sjell numri gjithnjë e më i madh i pakove./REL
