Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar një numër parregullsish në administrimin financiar të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, duke përfshirë mbivlerësim të detyrimeve dhe të llogarive të arkëtueshme, klasifikim të gabuar të shpenzimeve, vonesa në kryerjen e pagesave, mangësi në prokurim dhe dobësi në menaxhimin e projekteve kapitale. Për pasqyrat financiare vjetore, raporti i auditimit i ka dhënë komunës opinion të kualifikuar, përcjell KosovaPress.
Në raport sqarohet se ky opinion i kualifikuar lidhet me mbivlerësimin e detyrimeve të papaguara, mbivlerësimin e llogarive të arkëtueshme, keqklasifikimin e shpenzimeve sipas kategorive ekonomike, si dhe paraqitjen jo të saktë të detyrimeve kontingjente në pasqyrat financiare.
Të lidhura
None found
Auditorët kanë vlerësuar gjithashtu se një pjesë e proceseve dhe transaksioneve të Komunës nuk janë zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sipas gjetjeve, janë evidentuar vonesa në zbatimin e vendimeve lidhur me ankesat e tatimpaguesve, pasaktësi në përllogaritjen e tarifave për ndikimin nga rritja e densitetit të infrastrukturës, mangësi në mbikëqyrjen e projektit të realizuar me UNDP-në, si dhe shkelje në procedurat e prokurimit dhe në menaxhimin e investimeve kapitale.
Raporti nënvizon edhe se Komuna ka marrë obligime kontraktuale për projekte kapitale pa pasur fonde të mjaftueshme në dispozicion, ka hapur procedura të prokurimit pa i siguruar më herët lejet e nevojshme, ka vonuar pagesën e faturave përtej afatit ligjor në 42 raste me vlerë mbi 8.1 milionë euro, si dhe ka kryer pagesa për investime kapitale prej mbi 10.1 milionë euro duke marrë mjete nga projekte të tjera pa miratimin paraprak të Kuvendit Komunal.
Sipas ZKA-së, gjatë auditimit janë vërejtur dobësi edhe në kontrollin e brendshëm dhe në menaxhimin financiar. Këto përfshijnë pasaktësi në regjistrimin dhe paraqitjen e pasurisë, në inventarizimin e saj, në arkëtimin e borxheve dhe në monitorimin e projekteve kapitale. Po ashtu, komuna është përballur me vështirësi financiare si pasojë e pagesave të larta të bëra mbi bazën e vendimeve gjyqësore, të cilat deri më 31 dhjetor 2025 kishin arritur në 45.69 milionë euro.
ZKA bën të ditur se nga ky raport kanë dalë 25 rekomandime gjithsej. Prej tyre, 14 janë rekomandime të përsëritura, tetë janë të reja, tre rezultojnë pjesërisht të zbatuara, ndërsa dy janë trajtuar gjatë vetë procesit të auditimit. Institucioni ka njoftuar se zbatimi i këtyre rekomandimeve do të monitorohet në auditimin e ardhshëm.
