Mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale është shoqëruar me përplasje mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa në qendër të diskutimeve kanë qenë afatet, ritmi i punës dhe rezultatet e arritura deri tani.
Në diskutim, bashkëkryetari Arbjan Mazniku vuri në dukje se komisioni ngrihet mbi parimin e paritetit mes mazhorancës dhe opozitës, duke theksuar se përgjegjësitë për zhvillimin e procesit, punën dhe propozimet u përkasin të dyja palëve.
Të lidhura
None found
“Mungesa e rezultateve dhe koha e humbur kanë ardhur si pasojë e bllokimit sistematik nga opozita. Çdo produkt që është propozuar nga ana teknike, është propozuar nga mazhoranca në komision. Përgjegjësitë për agjendën, ecurinë e punës, produktet, tipologjinë dhe numrin e tyre në një komision me bashkëkryesi dhe përbërje 8 me 8 janë të përbashkëta. Nuk e kuptoj kujt po i kërkohet llogari vetëm nga njëra palë. Keni kërkuar paritet dhe pariteti sjell edhe përgjegjësi, jo vetëm fjalë. Ju keni ardhur, keni folur, keni ikur. Ne kemi ardhur dhe kemi bërë edhe disa punë”, u shpreh Mazniku.
Ai theksoi më tej se, në një komision ku palët përfaqësohen në mënyrë të barabartë, përgjegjësia për ecurinë dhe rezultatet duhet të ndahet mes të gjithë aktorëve të përfshirë dhe jo t’i faturohet vetëm njërës palë.
