Zona e Liqenit të Thatë, e konsideruar dikur si një hapësirë që ofronte qetësi, gjelbërim dhe ajër të pastër, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një kantier të pandërprerë ndërtimi.
Sipas banorëve, muajt e fundit problemet janë rënduar ndjeshëm për shkak të shtimit të aktivitetit ndërtimor. Ata thonë se qarkullimi i vazhdueshëm i mjeteve të tonazhit të rëndë, nga orët e para të mëngjesit deri vonë pasdite, ka sjellë jo vetëm bllokime të rrugëve, por edhe ndotje të lartë të ajrit, pluhur dhe zhurmë të pandërprerë.
Të lidhura
None found
“Nuk arrijmë të dalim në kohë për në punë dhe të çojmë fëmijët në shkollë. Rruga bllokohet vazhdimisht nga kamionët dhe makineritë e rënda”, shprehet një banor i zonës, i cili prej vitesh jeton në lagjen e njohur si Liqeni i Thatë.
Një tjetër banore tregon se arsyeja pse kishte zgjedhur të jetonte aty lidhej pikërisht me ajrin e pastër, por sot situata, sipas saj, ka ndryshuar krejtësisht. “Ne kemi blerë shtëpi këtu sepse mendonim se do të kishim pak ajër të pastër. Sot pikërisht atë nuk kemi më. Pluhuri është kudo. Dritaret nuk mund t’i mbajmë hapur dhe fëmijët nuk mund të luajnë jashtë si më parë”, thotë ajo.
Për banorët, shqetësimi nuk kufizohet vetëm te ndërtimet, por edhe te mënyra se si po realizohen ato. Ata ngrenë alarmin për zhdukjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe dëmtimin e peizazhit natyror të kësaj zone.
“Prenë dhe shkulën ullinjtë. Aty ku kishte gjelbërim, tani ka vetëm dhe, makineri dhe kamionë. Makineritë e tonazhit të rëndë punojnë pa orar dhe zhurma vazhdon gjatë gjithë ditës”, shprehet një tjetër banor.
Sipas tyre, Liqeni i Thatë po e humb pak nga pak profilin që e ktheu në një nga zonat më të kërkuara për banim në Tiranë. Për vite me radhë, kjo lagje është prezantuar si një alternativë larg ndotjes dhe zhurmës së kryeqytetit, por banorët thonë se sot panorama është krejt tjetër.
“Nuk gjejmë më rehat. Çdo ditë është pluhur, trafik dhe zhurmë. Na u nxi jeta”, thotë një qytetare që jeton pranë njërit prej kantierëve të ndërtimit.
Në të njëjtën kohë, mbeten pa sqarim edhe pyetjet mbi menaxhimin e kësaj situate nga institucionet përgjegjëse. Për këtë arsye, Ekofin.al i është drejtuar zyrtarisht Bashkisë së Tiranës me një kërkesë për informacion, për të kuptuar se çfarë masash po ndërmerren për kontrollin e lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë, garantimin e qarkullimit normal të banorëve dhe përcaktimin e orareve të lëvizjes në zonat urbane.
Derisa të ketë përgjigje zyrtare dhe të plota nga Bashkia Tiranë dhe autoritetet përkatëse, banorët kërkojnë masa urgjente për rikthimin e normalitetit në lagje, e cila sipas tyre po përballon çdo ditë pasojat e një zhvillimi urban të pakontrolluar.
Ekofin.al sjell në vëmendje shqetësimin e qytetarëve edhe për faktin se një nga projektet që ka nisur tashmë zbatimin përfshin ndërtimin e 15 pallateve, me lartësi 9 kate, duke rrafshuar kodrat me ullishte.
Zona ku parashikohen këto ndërtime shtrihet në rreth 31 mijë metra katrorë, ndërsa projekti në total përfshin 94 mijë metra katrorë ndërtim mbi dhe nëntokë.
Pikërisht këto shifra, sipas banorëve, e bëjnë edhe më shqetësuese gjendjen, pasi ata thonë se jo vetëm kanë humbur qetësinë dhe po përballen çdo ditë me vështirësi, por po humbasin edhe arsyen kryesore pse investuan për të jetuar në atë zonë.
