Një nga nismëtarët e protestës qytetare në Tiranë kundër qeverisë, Arben Kola, ka reaguar pas incidentit me flamurin izraelit, duke deklaruar se sipas tij ka persona apo grupe që tentojnë të dëmtojnë imazhin e protestës.
Në një prononcim për News24, Kola tha se lëvizja qytetare nuk ka lidhje me qëndrime fetare apo kombëtare dhe se synimi i saj është vetëm shprehja e pakënaqësisë së qytetarëve.
Të lidhura
None found
“Mes nesh ka grupe të infiltruara që përpiqen t’i japin një tjetër kuptim protestës. Kjo nuk do ta zhbëjë vullnetin e qytetarëve”, deklaroi ai.
Kola tha se do të bëhen publike të dhëna për personat që, sipas tij, përpiqen të dëmtojnë protestën, ndërsa u bëri thirrje institucioneve të sigurisë të reagojnë për të shmangur tensionet.
Lidhur me incidentin me flamurin e Izraelit, ai u distancua nga çdo veprim ndaj simboleve kombëtare të vendeve të tjera.
“Nuk jemi kundër asnjë shteti dhe nuk jemi për të cenuar flamujt e asnjë vendi, qoftë Izrael, Serbi, Greqi apo shtete të tjera. Kjo protestë nuk ka një qëllim të tillë”, u shpreh Kola.
