Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me reagim për zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve dhe urave në Tetovë.
Sipas BDI-së, VLEN po mundëson rikthimin e simbolikës së ish-Jugosllavisë në qytet.
Të lidhura
None found
Partia vlerëson se Tetova i ka figurat, identitetin dhe historinë e vet, ndaj nuk duhet, sipas saj, të rikthehet prapa përmes emërtimeve që qytetarët i kanë braktisur prej shumë vitesh.
Në reagimin e plotë thuhet se arsyetimet banale, me të cilat po tentohet të relativizohet vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve dhe urave në Tetovë, zbulojnë më shumë sesa çdo deklaratë publike e VLEN-it.
Sipas tyre, dikush mund të ndiejë nostalgji për Josip Broz Titon.
Po ashtu, sipas reagimit, dikush mund t’i ketë kushtuar poezi lavdëruese Titos dhe madje të ketë përfituar edhe shpërblime për to. BDI thekson se kjo i përket bindjeve personale, por shton se nostalgjia dhe adhurimi për Titon duhet të mbeten brenda shtëpisë dhe jo të shndërrohen në rikthim të simbolikës jugosllave në Tetovë. Sipas tyre, Tetova e ka mbyllur këtë kapitull prej kohësh.
BDI nënvizon se Tetova ka historinë, identitetin dhe figurat e saj, prandaj nuk e meriton të kthehet pas në kohë dhe as t’i rikthehen emërtimet që qytetarët i kanë lënë pas shumë vite më parë.
Partia pretendon se e gjithë kjo po ndodh me bekimin e VLEN-it dhe për këtë arsye, sipas saj, qytetarët duhet të marrin përgjigje të qarta.
Në këtë kuadër, BDI ngre disa pyetje publike për Bilall Kasamin: a është kontaktuar Komuna e Tetovës nga Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë lëndë, cili ka qenë qëndrimi i komunës gjatë kësaj procedure, a ka pasur komunikim zyrtar ose jozyrtar me Gjykatën Kushtetuese, cili ka qenë roli i përfaqësuesve të VLEN-it në Qeveri dhe çfarë qëndrimi ka mbajtur Qeveria para Gjykatës Kushtetuese në lidhje me emërtimet e miratuara në vitin 2007?
Më tej, BDI shprehet se qytetarët meritojnë transparencë të plotë dhe se shqiptarët kanë të drejtë të dinë kush heshti, kush u pajtua dhe kush kontribuoi që të vihet në shënjestër identiteti i Tetovës.
Në fund, partia bën thirrje që qytetarët të mos nënvlerësohen dhe durimi i tyre të mos konsiderohet si dobësi, duke theksuar se shqiptarët nuk do të pranojnë që të arriturat e tyre të cenohen në heshtje. Sipas tyre, edhe durimi ka fund.
