Producenti dhe regjisori amerikan Tyler Perry është përfshirë në një tjetër zhvillim ligjor, pasi burri që e ka paditur për sulm seksual po kërkon vendosjen e sanksioneve ndaj tij për mungesë në një dëshmi gjyqësore.
Dokumentet gjyqësore të siguruara nga TMZ tregojnë se paditësi thotë se prej muajit prill ka tentuar të marrë dëshminë e Perry-t. Sipas tij, producenti ka qenë i gatshëm të dëshmojë vetëm në rast se nuk do të pyetej për çështje që kanë të bëjnë me orientimin e tij seksual apo me marrëdhëniet me burra të tjerë, me arsyetimin se këto pyetje nuk kanë lidhje me çështjen.
Të lidhura
None found
Megjithatë, pala mbrojtëse e Tyler Perry-t i kundërshton këto pretendime. Avokati i tij ka deklaruar se producenti as nuk ka refuzuar të paraqitet për dëshmi dhe as nuk ka kërkuar kufizime të tilla, ndërsa e ka përshkruar çështjen si një tentativë zhvatjeje dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë sanksione ndaj paditësit.
Padia është paraqitur nga Mario Rodriguez, i cili e akuzon Perry-n për sulm seksual, abuzim seksual dhe shkelje të tjera. Në këtë proces, ai kërkon 77 milionë dollarë dëmshpërblim.
Sipas pretendimeve të ngritura në padi, Rodriguez është njohur me Perry-n në vitin 2015 dhe më pas ka marrë një rol në filmin Boo! A Madea Halloween. Ai pretendon se gjatë një vizite në shtëpinë e producentit në vitin 2018 është përballur me sjellje të papërshtatshme dhe me sulm seksual.
Paditësi thotë gjithashtu se pas incidenteve të pretenduara, Perry i ka kërkuar falje dhe i ka dhënë para në disa raste. Sipas padisë, ngjarje të ngjashme të dyshuara kanë ndodhur edhe në vijim.
Tyler Perry i ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike të gjitha akuzat. Sipas mbrojtjes së tij, Rodriguez ka vijuar të mbajë kontakte me të edhe pas ngjarjeve që pretendon dhe shpesh i ka kërkuar ndihmë financiare. Ekipi ligjor i producentit pretendon se akuzat u ngritën vetëm pasi ai refuzoi të vazhdonte t’i jepte para.
Procesi gjyqësor mbetet në vijim, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë pretendimet e të dyja palëve në seancat e ardhshme.
