Në Tallinn, Kosova dhe Estonia mbajtën Konsultimet Politike, në kuadër të bashkëpunimit mes dy ministrive të jashtme dhe përkushtimit të përbashkët për të çuar përpara çështjet me interes reciprok.
Në krye të këtyre konsultimeve ishin Ilir Muçaj, Sekretar i Përgjithshëm i MPJD-së, dhe Siiri Konigsberg, Drejtore e Përgjithshme për Çështje Evropiane në MPJ-në e Estonisë.
Të lidhura
None found
Gjatë takimeve u trajtuan raportet dypalëshe mes Kosovës dhe Estonisë, me theks të veçantë te mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit digjital, inovacionit, arsimit dhe mbrojtjes.
Dy palët ndanë gjithashtu qëndrimet e tyre lidhur me procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës, perspektivën evropiane të rajonit dhe zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.
“Në kuadër të drekës së punës të organizuar nga z. Martin Roger, Zëvendëssekretar për Çështje Politike në MPJ-në e Estonisë, u diskutua situata gjeopolitike në Evropë, përfshirë agresionin e vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës dhe implikimet e tij për sigurinë evropiane, si dhe bashkëpunimi shumëpalësh, përfshirë temat që lidhen me Këshillin e Evropës dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.Pala estoneze rikonfirmoi mbështetjen e saj për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërsa të dyja palët vlerësuan progresin e arritur në marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehën gatishmërinë për të vazhduar dialogun e rregullt politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.
