Me një reagim të ashpër, familja e veprimtarit të ndjerë Haki Imeri ka dalë kundër deklaratave të Mërgim Lushtakut, duke e akuzuar për përhapje të pretendimeve të rreme dhe për sulme politike ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në deklaratën e publikuar, familja Imeri e përshkruan Mërgim Lushtakun si “gënjeshtar ordiner” dhe e ndërlidh atë me të atin, Sami Lushtaku. Sipas tyre, ai edhe më parë ka bërë deklarime të pavërteta, ndërsa kujtojnë një paraqitje të tij në televizion ku kishte pretenduar se Albin Kurti kishte kërkuar heqjen e fotografisë së Adem Jashari.
Të lidhura
None found
Sipas familjes Imeri, këto deklarata janë pjesë e një fushate të organizuar kundër Kurtit, të cilin ata e cilësojnë si “kryeministrin më të votuar nga shqiptarët e Kosovës”. Në reagim thuhet se fitoret e njëpasnjëshme të tij kanë vënë përballë partitë që, sipas tyre, “uzurpuan gjithçka në emër të luftës dhe lirisë”.
Po ashtu, ata theksojnë se “shpifjet ordinere” nuk mund ta zbehin të kaluarën e Sami Lushtakut dhe shtojnë se për çështjet që lidhen me të kaluarën, “një ditë do të flasë drejtësia”.
Në përmbyllje të reagimit, familja Imeri shpreh mbështetjen për kryeministrin Kurti, duke vlerësuar se ai ka arritur t’i mundë kundërshtarët politikë përmes fitoreve në zgjedhje.
