Kancelari gjerman Friedrich Merz e vlerësoi pozitivisht nënshkrimin e marrëveshjes SHBA-Iran, si edhe armëpushimin dhe garancinë për kalim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ai bëri të ditur se Berlini do të shqyrtojë mënyrat se si mund të kontribuojë në këtë përpjekje, mes tyre edhe me anije për pastrimin e minave detare ose me mbështetje ushtarake për masat e dakordësuara.
Merz theksoi se, përpara se ushtria gjermane të nisë një mision të tillë, nevojitet një mandat ose një bazë tjetër ligjore nga Bundestagu. Sipas tij, kjo çështje do të trajtohet në mënyrë të gjerë dhe me durim.
Të lidhura
None found
Edhe kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, përshëndeti “çdo marrëveshje që çon drejt paqes”. Megjithatë, ai nënvizoi se mbeten ende pjesë për t’u përmbyllur. Frieden tha se Ngushtica e Hormuzit ka rëndësi për mbarë botën dhe se asaj i duhen paqe e stabilitet, për të cilat, sipas tij, Luksemburgu është i gatshëm të japë ndihmë.
Marina gjermane bëhet gati për misionin në Hormuz
Ndërkohë, marina gjermane ka vendosur në Detin e Kuq dy anije për një mision të mundshëm në Ngushticën e Hormuzit. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se anija për pastrimin e minave „Fulda” dhe anija e furnizimit „Mosel” kanë kaluar Kanalin e Suezit dhe janë nisur drejt portit të Xhibutit, ku pritet të pozicionohen për një angazhim të mundshëm.
Në kuadër të një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius deklaroi se Gjermania synon të reagojë me shpejtësi nëse paraqitet nevoja. Ai tha se anijet do të përfshiheshin në një mision të mundshëm për garantimin e lirisë së lundrimit dhe se do të mbështeten nga sisteme çminimi, palombarë dhe forca mbrojtëse.
Për dislokim nuk nevojitet mandat
Sipas Pistoriusit, mbetet ende e paqartë nëse do të ketë realisht një mision për çminimin e Ngushticës së Hormuzit. Ai sqaroi se shumëçka varet nga zhvillimi i mëtejshëm i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit. Ministri shtoi se për dërgimin e anijeve nuk kërkohet mandat nga Bundestagu, pasi ky veprim bëhet në kuadër të kontributit gjerman në misionin detar të BE-së “Aspides”. Në bordin e dy anijeve ndodhen rreth 140 ushtarë. /DW
