Kolumbia e hapi me sukses aventurën e saj në Kupën e Botës 2026, pasi në ndeshjen e parë të Grupit K të luajtur në Mexico City mposhti Uzbekistanin me rezultat 3-1.
Figura qendrore e përballjes ishte Luis Diaz, i cili dha një asist dhe realizoi një gol, duke qenë vendimtar në sigurimin e tre pikëve të para për kolumbianët.
Të lidhura
None found
Takimi nisi me intensitet të madh dhe me disa duele të forta, ndërsa mundësia e parë e rrezikshme u regjistrua në minutën e 17-të, kur Arias tentoi nga largësia. Në minutën e 32-të, shumë pranë avantazhit ishte edhe Luis Diaz, por tentativa e tij u ndal nga shtylla.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 41-të. Ylli i Bayernit dërgoi një top mjaft të mirë në zonë, ndërsa Daniel Munoz u pozicionua saktë dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Me nisjen e pjesës së dytë, trajneri i Uzbekistanit, Fabio Cannavaro, ndërhyri menjëherë me dy zëvendësime dhe lëvizjet e tij prodhuan efekt. Pas një ndërhyrjeje të Vargas ndaj goditjes së Shomurodovit, topi shkoi te Abbosbek Fayzulayev, i cili në minutën e 60-të barazoi në 1-1, duke elektrizuar tifozët uzbekë.
Sidoqoftë, festa e debutuesve në Kupën e Botës zgjati vetëm gjashtë minuta. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Kevin Castano e gjeti Luis Diazin në krahun e majtë dhe sulmuesi i Kolumbisë shënoi me një goditje të saktë për 2-1.
Uzbekistani u përpoq të rikthehej sërish në ndeshje, por Kolumbia e menaxhoi mirë epërsinë. Në minutën e nëntë të kohës shtesë, Jaminton Campaz e vulosi suksesin me një gol me kokë, duke përcaktuar shifrat përfundimtare 3-1.
Në këtë mënyrë, Kolumbia e nis me fitore rrugëtimin në Botërorin 2026, ndërsa Uzbekistani, që po paraqitet për herë të parë në këtë kompeticion nën drejtimin e Fabio Cannavaros, la përshtypje të mira pavarësisht disfatës.
