Lartësia, distanca nga divani dhe ekspozimi ndaj dritës natyrale mund të përcaktojnë nëse shikimi do të jetë komod apo do të sjellë lodhje për sytë dhe qafën
Blerja e një televizori të ri zakonisht shoqërohet me entuziazëm. Pasi kalon faza e kërkimit, krahasimit të modeleve dhe përzgjedhjes së madhësisë së ekranit, pajisja më në fund mbërrin në shtëpi. Por pikërisht në këtë moment shumë veta bëjnë një gabim që ndikon negativisht në përvojën e shikimit: e vendosin televizorin në pozicionin e gabuar.
Të lidhura
None found
Gjetja e një muri bosh ose e një komodeje të përshtatshme mund të duket e mjaftueshme, por vendi ku pozicionohet televizori ka ndikim të drejtpërdrejtë te komoditeti, cilësia e figurës, si edhe te shëndeti i syve dhe i qafës. Për këtë arsye, ka rëndësi nëse ekrani është shumë lart, shumë pranë dritares apo në një largësi që nuk përputhet me madhësinë e tij.
Nëse po mendoni të riorganizoni dhomën e ditës ose të blini një televizor të ri, disa rregulla të thjeshta mund t’jua përmirësojnë ndjeshëm shikimin e filmave, serialeve dhe ndeshjeve sportive.
Sa i madh duhet të jetë televizori për hapësirën tuaj?
Një nga pyetjet më të zakonshme është sa i madh duhet të jetë televizori që do të blihet.
Përgjigjja nuk lidhet vetëm me preferencën personale, por mbi të gjitha me distancën nga e cila do të shihet ekrani. Sa më i madh të jetë televizori, aq më shumë hapësirë duhet të ketë mes tij dhe vendit ku rrini ulur.
Për ambiente më të vogla dhe për dhoma gjumi, zakonisht sugjerohen modele deri në 43 inç. Në dhoma dite mesatare, më të përhapur janë televizorët 50 deri në 55 inç, ndërsa në hapësira më të mëdha po shtohet kërkesa për modele 65, madje edhe 75 inç.
Falë rezolucionit shumë më të lartë, televizorët modernë 4K mund të shihen edhe nga një distancë më e afërt pa humbur cilësinë e figurës, transmeton Telegrafi.
Vendi ku televizori nuk duhet të qëndrojë
Shpesh televizori vendoset aty ku ka më shumë hapësirë të lirë, por kjo zgjedhje nuk rezulton domosdoshmërisht më e mira.
Një nga gabimet që përsëritet më shpesh është pozicionimi i ekranit përballë dritareve të mëdha. Rrezet e drejtpërdrejta të diellit dhe reflektimet mund ta dëmtojnë ndjeshëm cilësinë e figurës dhe ta bëjnë më të vështirë shikimin gjatë orëve të ditës.
Sipas ekspertëve, televizori duhet të orientohet drejt vendit ku qëndroni ulur dhe jo të vendoset në një kënd të theksuar. Gjithashtu, duhen shmangur zonat ku drita e fortë natyrore bie vazhdimisht mbi ekran.
Televizori mbi oxhak: po apo jo?
Në rrjetet sociale shfaqen shpesh fotografi me televizorë të montuar mbi oxhak, por ekspertët theksojnë se kjo nuk është gjithmonë zgjidhja më komode.
Arsyeja kryesore është se ekrani përfundon shpesh tepër lart, çka ju detyron ta mbani kokën të ngritur gjatë shikimit. Me kalimin e kohës, kjo mund të shkaktojë tension në qafë dhe në shpatulla.
Një tjetër problem lidhet me nxehtësinë që çliron oxhaku, e cila mund të ndikojë negativisht te elektronika e televizorit dhe t’ia shkurtojë jetëgjatësinë pajisjes.
Në çfarë lartësie duhet të jetë televizori?
Ky është një rregull që shumë njerëz e neglizhojnë.
Në mënyrë ideale, qendra e ekranit duhet të përkojë me nivelin e syve të personit që është ulur në divan. Për shumicën, kjo do të thotë një lartësi prej afërsisht 90 deri në 110 centimetra nga dyshemeja.
Nëse nuk është e mundur që ekrani të vendoset saktësisht në atë nivel, këshillohet që pjesa e sipërme e tij të mos kalojë më shumë se 15 centimetra mbi nivelin e syve.
Kjo ndihmon në shmangien e lodhjes së qafës dhe siguron këndin më natyral të shikimit.
Në mur apo mbi komodë?
Në shumë shtëpi mbetet e hapur dilema nëse televizori duhet montuar në mur apo vendosur mbi komodë.
Vendosja në mur krijon një pamje moderne, kursen hapësirë dhe e bën ambientin të duket më i rregullt. Megjithatë, ajo kërkon shpim të murit dhe është më pak praktike nëse më vonë doni të ndryshoni pozicionin e mobilieve.
Nga ana tjetër, komodja e televizorit e bën më të lehtë lëvizjen e pajisjes dhe ofron vend shtesë për konzola, ruterë dhe pajisje të tjera, por zë më shumë hapësirë në dhomë.
Zgjedhja varet kryesisht nga përmasat e ambientit dhe nga mënyra se si përdoret dhoma e ditës.
Çfarë nëse televizori duhet të qëndrojë në kënd?
Në apartamente më të vogla dhe në hapësira të hapura, këndi i dhomës shpesh duket alternativa e vetme.
Edhe pse nuk konsiderohet zgjidhja ideale, televizori mund të funksionojë mirë edhe në kënd nëse vendoset siç duhet. Rekomandohet përdorimi i mbajtëseve të posaçme këndore ose i komodave që lejojnë orientimin e ekranit drejt pjesës qendrore të dhomës.
Me rëndësi është që ulëset të organizohen në mënyrë të tillë që shumica e familjarëve ta kenë pamjen sa më të drejtpërdrejtë nga ekrani, pa qenë të detyruar ta kthejnë shumë kokën.
Ndryshimet e vogla bëjnë dallim të madh
Vendosja korrekte e televizorit nuk ndikon vetëm te pamja e dhomës së ditës, por edhe te rehatia e përditshme. Që nga madhësia e ekranit dhe distanca e shikimit, deri te lartësia e montimit, çdo element mund të bëjë diferencën mes një eksperience mesatare dhe një shikimi vërtet të këndshëm.
Para se të vendosni përfundimisht ku do të qëndrojë televizori, uluni në vendin tuaj të zakonshëm dhe përfytyroni si do ta ndiqni serialin, filmin ose ndeshjen tuaj të preferuar. Ndonjëherë mjafton një lëvizje prej vetëm pak centimetrash për të siguruar një kënd shumë më të mirë shikimi.
