Prej ditësh mediat botërore kanë raportuar dhe transmetuar live protestën që zhvillohet çdo ditë në Tiranë për largimin e Edi Ramës. Agjencia Reuters, shkruan se mijëra qytetarë dolën të mërkurën në rrugët e Tiranës në atë që konsiderohet protesta më e madhe deri tani. E nisur për kundërstimin e një projekti, tashmë është shndërruar në një revoltë kundër qeverisë.
“Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimin “Shqipëria nuk është në shitje” dhe brohorisnin “Shqipëria e Re” përpara Kryeministrisë. Turma e demonstruesve u shtri përgjatë një prej bulevardeve kryesore të kryeqytetit.
Të lidhura
None found
“Protesta përbën një tjetër sfidë për kryeministrin Edi Rama, i cili drejton vendin që prej vitit 2013. Një pjesë e qytetarëve e akuzojnë qeverinë se nuk ka arritur të luftojë korrupsionin dhe të përmirësojë shërbimet bazë, si shëndetësia”, shkruan Reuters.
Në një intervistë për Reuters këtë javë, Rama deklaroi se projekti do të vijojë dhe do të realizohet në mënyrë të përgjegjshme.
Ai theksoi gjithashtu se janë ndërmarrë hapa për të reduktuar korrupsionin, duke përmendur krijimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila ka hapur disa hetime të profilit të lartë vitet e fundit.
Megjithatë, pakënaqësitë ndaj qeverisë mbeten të forta. Më herët gjatë këtij viti pati përplasje të dhunshme gjatë protestave që kërkonin dorëheqjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku për akuza të lidhura me korrupsionin. Edhe pse Rama e shkarkoi Ballukun, mosbesimi ndaj institucioneve vazhdon, thuhet në shkrimin e Reuters.
