Mediat ndërkombëtare, vazhdojnë t’i bëjnë jehonë situatës së krijuar në Shqipëri me protestat e studentëve. Në një shkrim të fundit, agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se “Udhëheqësi i Shqipërisë sfidon thirrjet për të dhënë dorëheqjen”.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, hodhi poshtë të enjten thirrjet për të dhënë dorëheqjen, ndërsa mijëra protestues të udhëhequr nga studentët thyen dritare dhe u përleshën me policinë që përdori topa uji dhe gaz lotsjellës në kryeqytet”, shkruan agjencia.
Të lidhura
None found
Më tej, në në shkrim thuhet se demonstruesit akuzojnë zyrtarët për korrupsion dhe neglizhencë në arsim dhe thonë se janë të zemëruar për shitjen e pjesëve të vijës bregdetare jugore të Shqipërisë.
“Rrugët e Tiranës ishin të mbushura me kosha plehrash të djegur, stacione autobusësh të shkatërruara dhe semaforë të prishur. Policia qëlloi gaz lotsjellës, granata shurdhuese dhe topa uji ndaj protestuesve që hidhnin gurë, të cilët i vunë flakën një kioske, ngritën barrikada dhe bastisën një bankë”, përshkruan Reuters.

Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e Ramës, duke thënë se askush nuk i kishte dëgjuar shqetësimet e tyre gjatë një vere protestash kryesisht paqësore lidhur me zhvillimin.
Rama, qeveria e të cilit mohon korrupsionin, tha se do të ishte gati të diskutonte koston në rritje të arsimit, por hodhi poshtë thirrjet për të dhënë dorëheqjen.
“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të adresoj shqetësimet legjitime dhe ta ndihmoj Shqipërinë të ecë përpara”, tha ai në një deklaratë me shkrim për Reuters.







