Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka folur lidhur me tragjedinë e ndodhur mëngjesin e së enjtes në Lozhan të Korçës, ku autori Violand Braçellari vrau efektivin e policisë Enea Mekolli dhe plagosi kolegun e tij gjatë një operacioni policor.
Hita hodhi poshtë pretendimet se në operacion morën pjesë vetëm gjashtë efektivë, duke theksuar se në terren ishin angazhuar 40 forca policie si dhe faktin që efektivë ishin pa jelek antiplumb.
Të lidhura
Ai bëri të ditur se strukturat e përfshira në aksion ishin forcat e specializuara “Shqiponja”, të trajnuara për operacione me rrezikshmëri të lartë. Sipas kreut të Policisë së Shtetit, efektivët kishin kryer instruktazhin përkatës para ndërhyrjes dhe ishin të pajisur me jelekë antiplumb dhe me të gjitha mjetet mbrojtëse të nevojshme.
“Nuk ishim në dijeni. Nëse do të ishte kërkuar një shqyrtim i plotë i të gjithë rastit, patjetër që do të ishin marrë masa më të forta. Punonjësit e Policisë së Shtetit janë të trajnuar sipas ligjeve dhe procedurave në fuqi. Në këtë rast kanë qenë të angazhuara strukturat më të specializuara, forcat ‘Shqiponja’, të cilat kishin për detyrë realizimin e operacionit.
Kanë qenë 40 efektivë policie në terren dhe të gjithë ishin të pajisur me jelekë antiplumb, sipas standardeve që kërkon një operacion i tillë. Megjithatë, arma kallashnikov e përdorur nga autori ka depërtuar tejpërtej jelekut antiplumb. Para nisjes së operacionit është kryer edhe instruktazhi i nevojshëm për të gjithë efektivët”, u shpreh Hita.

