Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se qëndron pas aferës së pronave në Zvërnec që kanë shkaktuar këtë skandal që ka bërë jehonë në arenën ndërkombëtare dhe kanë ngritur shqiptarët në revolta.
Madje ai tha se kryeministri po vjedh edhe tokat në Gjipe, në një nga kanionet më të bukura në Evropë. Kreu i opozitës nënvizoi se kreu i qeverisë shmang llogaridhënien në Kuvend duke mos ardhur për interpelanca dhe i delegon ato.
Të lidhura
None found
Berisha kërkoi publikisht paraqitjen e Ramës në Kuvend dhe dhënien e llogarisë para qytetarëve shqiptarë për “aktet katastrofale”.
Ai kritikoi edhe ministren Erjona Ismaili që merrte përsipër delegimin e interpelancës në shkelje të Kushtetutës. Sipas Berishës, Rama “një herë rri peng i Belindës dhe herën tjetër delegon fjalimet”.
“Edi Rama të vijë këtu në Parlament, të japë përgjegjësi për të gjitha aktet katastrofale të qeverisjes së tij. Fshihet prapa, të më falin zonjat, në kuptimin absolutisht pa kuptimin e keq, pas fustanit të grave. Një herë rri peng i Belindes dhe tani i thotë kësaj zonjës këtu më përfaqëso ti mua, e lë fjalimin kësaj zonjës këtu. Ndaj që të mos themi më “sherr sherr la fame”, hiq dorë nga përfaqësimi antikushtetues, jo kushtetues i kreut të meduzës, rri, i thuaj nuk më lejon Kushtetuta, kam ligj. Morali i shtetit është Kushtetuta. Neni 80 i Kushtetutës nuk thotë se kur mungon kryeministri e zëvendëson Erjona, jo”, tha Berisha.
Dhe vijoi akuzat duke theksuar se:
“Morali i shtetit është Kushtetuta. Neni 80 nuk thotë se kur mungon kryeministri e zëvendëson Erjona, jo. Ndaj hiqni dorë nga këto skema dhe silleni këtu. Katër orë nuk guxoni të nxirrni një fjalë nga goja ju. Merrni për bazë rezolutën qytetare, çfarë ka në bazë? Mungesa absolute e transparencës, zero transparencë, në një aferë që është bërë botërore siç e shihni”, tha ai.
Duke kaluar tek investimi i projektit në Zvërnec dhe protestat, Berisha tha se Rama nuk bën transparencë për atë aferë dhe nuk ka qartësuar shqiptarët, pasi nuk ka as studim dhe as projekt.
“Si ka mundësi që asnjë deputet, asnjë qytetar i Vlorës apo në Shqipëri nuk di absolutisht asgjë për këtë investim disamiliardësh. Por ta marrim nga ana qeveritare e shtetërore, kur një qeveri pranon një ide të një investitori të huaj nuk mund të japë kurrë leje ndërtimi pa qartësuar pronësinë në çdo metër katror. Kur një qeveri vendos të mbështesi një investim në një zonë të mbrojtur, vendos parimet, shpall parimet dhe ato janë të vulosura në Komisionin Evropian dhe me direktivat që kanë ardhur ndër vite. A keni parë ndonjë studim të mjedisit, studim strategjik, zero keni parë, s’ka transparencë fare. A ka ndonjë studim, çfarë do ndërtohet, çfarë habitati preket e dëmtohet, a lejohet. Sepse nëse nuk lejohet do i vësh drynat Brukselit, sepse nuk lejohet. Pasuria natyrore e një vendi janë edhe të mbarë Evropës dhe ato kanë ligj të fortë. Ku i keni këto ju, asnjë, zero”, tha Berisha.
Më tej ai ngriti akuza të tjera ndaj mazhorancës socialiste dhe Ramës, duke thënë se ishin mafie që silleshin më keq se Beogradi. Gjithashtu denoncoi vjedhjen e pronave në Gjipe.
“Ju jeni mafie, mafie dhe vetëm mafie, njëlloj si Beogradi, po. Ajo që ndodh në Beograd po ndodh edhe në Shqipëri. Pse s’ka transparencë për shqiptarët. Sikur e ka pronë të vetën ai. Që po vjedh Gjipenë ai, mijëra metra katrorë tokë, një nga kanionet më të bukura në botë. Pse të mos revoltohen qytetarët, kanë 100% të drejtë”, vijoi ai.
Berisha i bëri thirrje socialistëve që të anulonin edhe antimitingun në Vlorë, duke shkaktuar edhe një moment humori e të qeshurash në Kuvend, pasi teksa u thoshte se kishte informacionin në iPad-in e tij, në ekran shfaqej fotoja e tij familjare, me bashkëshorten Liri Berisha dhe mbesën e madhe.
“Dhe ndaloni menjëherë antimitingjet, sepse do keni pasoja. Ja ku e kam këtu ceremoninë e ndarjes së pallaskave të eksponentëve të krimit socialist në Vlorë, këtu i kam, e keni bërë atë, ju e dini…”, deklaroi kreu i selisë blu.
Berisha më tej akuzoi mazhorancën edhe për ligjin e barazisë gjinore dhe trajtimin me terapi hormonale të transgjinorëve, duke e konsideruar si skandal dhe shkelje të të drejtave të njeriut e prishje të familjes tradicionale.
