Policia malazeze ua ka ndaluar hyrjen në vend një grupi prej të paktën 90 personash nga Serbia, të cilët mbërritën të mërkurën në Tivat me një fluturim çarter nga Beogradi.

Sipas mediave malazeze, arsyeja e kësaj mase të jashtëzakonshme është dyshimi për veprimtari subversive para samitit BE – Ballkani Perëndimor, i cili mbahet të enjten dhe të premten në bregdetin malazez.
Siç shkruan portali Vijesti.me, në mesin e pasagjerëve kishte edhe persona të regjistruar si “persona me interes për sigurinë”, ndaj është marrë vendimi që të gjithë të kthehen me fluturimin e parë nga Tivati për në Beograd.
Të lidhura
None found
Sipas të njëjtit burim, pasagjerët refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve të policisë lidhur me arsyen e ardhjes së tyre në Mal të Zi.
Të dyshuarit me vete në aeroplan kishin marrë transparente me mbishkrimin “Serbia fiton”, parullë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq një pajisje për komunikim në distancë dhe një stacion radio detar, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë (UP) dhe Agjencisë për Siguri Kombëtare (ANB).

Të dhënat që posedon Drejtoria e Policisë së Malit të Zi tregojnë se personat në këtë fluturim, shumica e të cilëve kanë dosje kriminale, kishin për detyrë të siguronin në mënyrë joformale qëndrimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë samitit të ardhshëm në Tivat.
Nga policia malazeze është njoftuar se po zhvillohen aktivitete të gjera, të vazhdueshme dhe të shtuara sigurie për shkak të organizimit të samitit BE – Ballkani Perëndimor.
Në këtë kuadër, në pikën kufitare të Aeroportit të Tivatit po kryhen kontrolle rigoroze, ndaj edhe fluturimi çarter në linjën Beograd–Tivat është vënë nën kontroll të veçantë, shkruajnë mediat.
“Janë duke u kryer kontrolle ndaj këtyre personave dhe po verifikohen arsyet e ardhjes dhe qëndrimit të tyre. Në përputhje me ligjin do të ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme, si dhe masa kufizuese nëse ekzistojnë bazat ligjore për to. Aeroplani është mbajtur në pistën e Aeroportit të Tivatit për të kryer verifikime të detajuara të personave që kanë mbërritur dhe të qëllimit të vizitës së tyre, duke pasur parasysh masat e shtuara të sigurisë para samitit. Publiku do të informohet me kohë për veprimet e mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Malit të Zi.
Mediat malazeze kishin raportuar më herët se më shumë se 1500 efektivë policie nga të gjitha njësitë organizative të policisë, përfshirë edhe njësitë speciale taktike, do të angazhohen për sigurinë e samitit që mbahet më 4 dhe 5 qershor në Tivat.
