Vdekjet dhe rastet me COVID-19 përsëri në rritje në shkallë globale

Vdekjet dhe rastet e COVID-19 janë në rritje përsëri në shkallë globale që po sjell si rezultat një raund tjetër kufizimesh dhe po zbeh shpresat për një verë argëtuese pothuajse normale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të mërkurën se numri i vdekjeve u rrit javën e kaluar pas nëntë javësh rënie, duke regjistruar më shumë se 55,000 jetë të humbura, një rritje prej 3% krahasuar me një javë më herët.

Rastet u rritën 10% javën e kaluar në gati 3 milion, me shifrat më të larta të regjistruara në Brazil, Indi, Indonezi dhe Britani, tha OBSH-ja.

Rritja po u atribuohet niveleve të ulëta të vaksinimit, zbutjes së rregullave për maskat dhe masave të tjera paraprake dhe përhapjes së shpejtë të variantit më ngjitës Delta, për të cilin OBSH-ja tha tani është identifikuar në 111 vende dhe pritet të bëhet globalisht dominues në muajt e ardhshëm.

Sarah McCool, një profesore e shëndetit publik në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias, tha se kombinimi i këtyre faktorëve krijon kushtet për “një shpërthim të mundshëm”.

Numri i të vdekurve në Argjentinën e goditur rëndë nga virusi arriti në afro 100,000. Vdekjet e përditshme të koronavirusit në Rusi arritën rekorde të larta këtë javë. Në Belgjikë, infeksionet me COVID-19, të nxitura nga varianti Delta mes të rinjve, janë pothuajse dyfishuar gjatë javës së kaluar. Britania regjistroi një total ditor prej më shumë se 40,000 rastesh të reja për herë të parë në gjashtë muaj.

Në Mianmar, krematoriumet po punojnë pa pushim. Në Indonezi, e cila regjistroi pothuajse 1,000 vdekje dhe mbi 54,000 raste të reja të mërkurën, nga rreth 8,000 raste në ditë një muaj më parë, njerëzit pranë Xhakartës po ndihmojë në hapjen e varreve.

Në SHBA, ku nivelet e vaksinimit janë ndër më të lartat, infeksionet e sapo konfirmuara për një ditë janë dyfishuar gjatë dy javëve të fundit në mesatarisht rreth 24,000, megjithëse vdekjet vazhdojnë të jenë në rënie.

Tokio është për herë të katërt në gjendje emergjence përpara Lojrave Olimpike Verore. Ekspertët kanë thënë se infeksionet mund të shumëfishohen gjatë Lojrave.

Rritja e rasteve ka sjellë kufizime shtesë në qytete si Sidnei, Australi, ku 5 milion banorët do të jenë nën këto masa të paktën deri në fund të korrikut, dy javë më shumë sesa ishte planifikuar. Koreja e Jugut e ka vendosur zonën e Seulit nën rregullat më të rrepta të distancimit deri tani për shkak të niveleve të rasteve rekord.

Pjesë të Spanjës, përfshirë Barcelonën, kanë vedosur një ndalim-qarkullim për natën. Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan tha se maskat do të jenë të detyruara në autobusë dhe trena edhe pasi kufizimet e tjera në Angli të hiqen javën e ardhshme. Italia paralajmëroi të gjithë ata që shkojnë jashtë vendit se mund të duhet të bëjnë karantinë para se të rikthehen.

Sado shqetësuese të jenë shifrat në të gjithë botën, ato janë më të ulëta se numrat alarmantë në fillim të këtij viti.

Shtatë muaj pas vaksinimit, vdekjet globale janë ulur në rreth 7,900 në ditë, pasi kaluan mbi 18,000 në ditë në janar, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Rastet janë mesatarisht 450,000 në ditë, një përgjysmim që nga kulmi i tyre në fund të prillit./albeu.com


Shtuar 15.07.2021 11:14