Agjencia turke e lajmeve Anadoly ka bërë të ditur se është nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe kompanisë turke SYS për furnizim me pajisje për 100 mjete të blinduara.
Kryetari i SYS, Zafer Aral, në një deklaratë për agjencinë Anadoly gjatë panairit që është organizuar në fushën e mbrojtjes në Stamboll ka deklaruar se Marrëveshja ka të bëjë me armatosjen e automjeteve të blinduara.
Të lidhura
“Marrëveshja ka të bëjë me armatosjen e automjeteve të blinduara që Kosova aktualisht zotëron. Ne kemi topa 30×113 mm. U nënshkrua një marrëveshje për të pajisur automjetet e blinduara në Kosovë me kulla dhe topa 30×113 mm. Ne do të armatosim 100 automjete tokësore me kulla dhe topa 30×113 mm. Është një marrëveshje me vlerë mbi 50 milionë dollarë”, thotë Zafer Aral.
Ndryshe, i pranishëm në panair ishte edhe ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Maqedonci në një postim në Facebook kishte bërë të ditur se në kuadër të angazhimeve për forcimin e partneritetit strategjik, në margjina të SAHA EXPO 2026, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Sekretarin e Industrisë së Mbrojtjes të Turqisë, Haluk Görgün.
Në këtë panair, Ministria e Mbrojtjes së Turqisë kishte prezantuar raketën e parë balistike ndërkontinentale vendase Yildirimhan.
Sistemi është zhvilluar nga qendra e kërkim-zhvillimit e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa prezantimi është bërë në Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Aeronautikës SAHA 2026 në Istanbul Expo Center.

