Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot për çështjen e presidentit të ri të vendit, një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e tij.
Ndërkohë, në sallë janë vetëm deputetët e Vetëvendosjes, ndërsa deputetë të partive opozitare kanë bojkotuar seancën. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se mungesa e opozitës në seancën për çështjen e presidentit, prodhon pasoja: “e bllokon një procedurë kushtetuese dhe e shtyn vendin drejt një krize të panevojshme”.
Të lidhura
None found
Ajo tha se pas seancës së 5 marsit, që u ndërpre në mungesë kuorumi, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se Gjykata tha se për pjesëmarrjen e deputetëve në seanca vetëm se ka vendosur paraprakisht.
“Përgjigja ishte e qartë, kjo çështje është vendosur njëherë. Nuk ka hapësirë për shmangie nga ky detyrim”, tha Haxhiu. “Deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç kur kanë marrë leje paraprake”, theksoi ajo.
Ajo tha se nuk pretendon t’ua ndryshojë qëndrimin partive opozitare, por sipas saj, qytetarët presin që deputetët të marrin pjesë në procesin për zgjedhjen e presidentit.
LVV-ja në pushtet u ka kërkuar partive opozitare, PDK dhe LDK, që të paraqesin tre emra jopartiakë për president.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që nëse deputetët s’arrijnë të zgjedhin presidentin deri më 28 prill, vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
