Nis me debate seanca në themel për Veliajn, avokati Plarent Ndreca: Dua të njihem me aktet e dosjes, më jepni dy javë kohë

Seanca në themel për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe 29 të pandehurve të tjerë, është shoqëruar me debate në lidhje njohjen e dosjes nga ana e palës mbrojtëse.

Në fjalën e tij, Maks Haxhia, ngriti shqetësimin në cilësinë e kreut të Dhomës së Avokatisë, duke kërkuar të dihet nëse avokatja e caktuar kryesisht është njohur me dosjen.

Ai theksoi se kjo është e rëndësishme për garantimin e një procesi të rregullt ligjor, duke shtuar se kolegia duhet të shprehet qartë mbi këtë çështje, edhe në funksion të përgjegjësive disiplinore.

“Në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Avokatisë, do doja të dija që nëse avokatja e caktuar kryesisht a është njohur me dosjen apo jo? Ne duhet të bëjmë proces. Kolegia duhet të shprehet nëse është njohur me dosjen, sepse ka edhe një komitet disiplinor”, tha avokati Haxhia.

Ndërkohë, prokurori Ols Dado reagoi, duke i kujtuar Haxhias se në këtë proces ai paraqitet në cilësinë e avokatit dhe jo si kryetar i Dhomës së Avokatisë.

Gjykata, pas një konsultimi të shkurtër, vendosi se nuk ka vend për debat mbi këtë çështje në këtë fazë të procesit.

Avokati Plarent Ndreca mbështeti qëndrimin e Haxhias, duke argumentuar se ai nuk mund të ndajë rolet e tij.

“Mbështes kolegun Maks Haxhia, i ka të dyja cilësitë dhe nuk mund të dal nga njëra apo nga tjetra. Procesi i rregullt ligjore lidhet dhe me mënyrën si ushtron profesionin avokati”, tha avokati i Veliajt, Plarent Ndreca.

Megjithatë, gjykata ndërhyri, duke theksuar se çdo pjesëmarrës në proces mund të ketë role të tjera jashtë tij, por ato nuk lidhen me shqyrtimin konkret.

“Secili nga ju mund të ketë edhe tagra te tjera por nuk lidhen me këtë proces, Maks Haxhia është legjitimuar si mbrojtës i një prej të pandehurve në këtë proces. Legjitimimi nga gjykata është bërë për një gjë, pra kërkesat lidhini me kërkesat paraprake, që lidhen më këtë gjykim”, u shpreh Gjykata.

Ndërkohë Plarejnt Ndreca, kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se në një proces me rreth 30 të pandehur, interesat janë të ndërthurura dhe se mënyra si ushtrohet profesioni i avokatit është pjesë e procesit të rregullt ligjor.

Ai paraqiti gjithashtu një kërkesë me shkrim, duke sqaruar se ka kërkuar më herët të njihet me aktet e dosjes dhe oraret përkatëse në gjykatë.

Ndreca kërkoi një afat dyjavor për të kryer një shqyrtim paraprak të dosjes, me qëllim përgatitjen e një strategjie të detajuar mbrojtjeje.

“Kam një kërkesë me shkrim është dy faqe, unë kam kërkuar që të njihem me aktet e dosjes, unë kam kërkuar oraret kur unë mund të vij në gjykate për tu njohur me dosjen, më pas kam marrë angazhimin për studimin e dosjes. Në fillim më thanë që do e marrësh në mënyrë elektronike, por kjo nuk u bë e mundur për shkak te kundërshtimit të prokurorisë. Kam ardhur me një grup avokatësh. Kërkoj një afat 2 javorë që unë të realizoi një shqyrtim paraprak të dosjes, që unë të kuptoj si duhet ta realizoj mbrojtjen dhe të paraqes një plan të detajuar sesi une do ta bëj mbrojtjen. Gjykata duhet të sigurojë kohen e nevojshme që të bëjmë një mbrojte efektive. Çdo nxitim i pajustifikuar nuk i shërben drejtësisë. Ky proces ka dhe impakt në publik për shkak të funksionit të të pandehurit Erion Veliaj, si kryebashkiak i zgjedhur disa herë me votë. Pasi të njihemi me aktet mund të bëhet një debat real. Kërkojmë të njihemi me dosjen dhe të merrni parasysh kërkesën tonë”, tha Ndreca.

Nga ana tjetër, i pandehuri Elman Abule kërkoi ndarjen e çështjes, duke argumentuar se ka paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar dhe se numri i lartë i të pandehurve e bën të nevojshme një ndarje të tillë.

Sipas mbrojtjes, vepra penale për të cilën akuzohet Abule bie në kompetencën e një gjykate tjetër.


Shtuar 3.04.2026 10:08