Ernest Muçi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo, për miqësoren e mbetur me Ukrainën. Mesfushori me tipare sulmuese është larguar, pasi u dëmtua siç raporton Federata Shqiptare e Futbollit.
Më parë u larguan Ylber Ramadani dhe Arlind Ajeti. Për Silvinjon nënkupton se asnjë nga lojtarët e tjerë që udhëtuan në Valencia, nuk ka pse të qëndrojë në tribunë.
Të lidhura
None found
Jasir Asani, Klisman Cake dhe Nazmi Gripshi që munguan ndaj Polonisë, do të jenë për llogaritë e sfidës përballë Ukrainës. Ky takim është rezervuar për të martën(31 mars), prej orës 20:45.
Kujtojmë se Muçi pati vetëm disa minuta në fundin e ndeshjes me Poloninë. Ky sezon me Trabzonsporin është edhe më i miri në karrierën e tij sipas statistikave.
Njoftimi i FSHF-së:
Kombëtarja shqiptare ke zhvilluar seancën e radhës stërvitore në qendrën sportive Parador de El Saler të Valencias, me kuqezinjtë që janë stërvitur për rreth 1 orë me intensitet të plotë.
Trajneri Silvinjo dhe stafi teknik i kanë angazhuar lojtarët në në ushtrime fizike fillimisht, teksa më tej stërvitja është fokusuar në ushtrime me topin dhe ndeshje kontrolli.
Departamenti i Komunikimit në FSHF në me dije se me skuadrën nuk është stërvitur sot sulmuesi Ernest Muçi, i cili që të shtunën ka ndjerë një shqetësim në pjesën e pasme të kofshës së djathtë.
Për këtë arsye, dje iu nënshtrua një rezonance magnetike, e cila evidentoi një edemë në nivelin e muskulit, që kërkon disa ditë pushim për shërim të plotë e si pasojë ai nuk mund të rikuperohet në kohë plotësisht për ndeshjen ndaj Ukrainës.
Pas konsultimit me stafin mjekësor, trajneri Silvinjo vendosi ta lërë të lirë Muçin, i cili ka udhëtuar sot drejt Turqisë për të vijuar rikuperimin.
Gjithashtu, në seancën e sotme stërvitore nuk mori pjesë edhe mesfushori Jasir Asani, i cili ka pësuar një goditje në gjurin e djathtë gjatë stërvitjes së djeshme. Stafi mjekësor po e mban në monitorim të vazhdueshëm gjendjen e tij dhe nesër do të vlerësohet nëse futbollisti do të jetë i gatshëm për t’u rikthyer në stërvitje.
Ndeshja miqësore mes Ukrainës dhe Shqipërisë do të zhvillohet më 31 mars, në orën 20:45, në stadiumin Estadi Ciutat de València, në Valencia.
