Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë për interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, për atë që ata e konsiderojnë lidhje të punonjësve të Policisë me krimin.
Deputetët Klevis Balliu, Igli Cara, Gazament Bardhi, Luçiano Boçi, Xhelal Mziu, Agron Gjekmarkaj dhe Belind Këlliçi i referohen Raportit Komisionit Evropian për vitin 2025, i cili thekson se Policia e Shtetit mbetet “thellësisht e ekspozuar ndaj korrupsionit”.
Të lidhura
None found
Në kërkesën e tyre, deputetët e opozitës listojnë një sërë shqetësimesh konkrete që lidhen me cënimin e sigurisë dhe besimit publik:
Infiltrimi i lartë kriminal: Referuar të dhënave të vitit 2024, rreth 163 punonjës policie janë arrestuar për shkelje të ndryshme, ndërsa në fund të vitit 2023 rreth 70 oficerë ishin nën hetim nga SPAK për lidhje me krimin e organizuar.
Implikimi i drejtuesve të lartë: Dekriptimi i aplikacioneve “Sky ECC” dhe “EncroChat” ka zbuluar lidhje të oficerëve të lartë, si rasti i ish-drejtuesve Oltion Bistri dhe Henerigert Mitri, të akuzuar për rrjedhje informacioni dhe lehtësim të veprimtarive kriminale, përfshirë kultivimin e kanabisit.
Prania e policisë në ngjarje kriminale: Deputetët përmendin si rast tronditës atentatin në Rinas ndaj Gilmando Danit, ku i plagosur mbeti edhe një punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), i cili ndodhej në shoqërinë e viktimës.
Dekonspirimi i operacioneve: Ekzistojnë dyshime serioze se punonjës të policisë kanë dhënë informacion për objektivat e grupeve kriminale dhe kanë paralajmëruar për kontrollet e forcave të rendit.
Dështimi i vetingut dhe rekrutimit: Janë dokumentuar raste të falsifikimit të dokumenteve të verifikimit të figurës për të mundësuar punësimin e individëve me rekorde kriminale në struktura si AMP.
Intimidimi i gazetarëve: Raporti i KE-së evidenton raste të intimidationit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve investigativë nga ana e zyrtarëve shtetërorë dhe punonjësve të policisë.

