Berisha: Dosja Balluku u censurua në media, Rama mbylli dyert e integrimit evropian

Në konferencën e sotme për shtyp, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, drejtoi gishtin ndaj mediave, duke akuzuar se kanë censuruar dosjen e Belinda Ballukut.

Ai theksoi se kanë vepruar kundër interesit publik.

Të lidhura

None found

Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama po tenton që të “varrosë” krimin e tij, pasi siç u shpreh kryedemokrati, protagonisti kryesor në dosjen e ish zëvendës kryeministres është vetë ai.

“Kjo censurë, ky injorim i dosjes Balluku, de facto dosja Rama, tregon se për këto media, këta puthadorë të regjimit, interesi publik nuk ekziston paçka se ata janë aty për shkak të valës që është publike. Gjë tmerrësisht e rëndë, shkelmim flagrant i interesit publik të shqiptarëve dhe lakejve të Ramës e Ballukut që përpiqen në këtë rast të gjejnë opozitën se pse opozita u publikon dosjen”, tha Berisha.

Më tej, ai theksoi se shqetësimi i tyre kryesor është protesta e opozitës, ndërsa shtoi se faktet që kanë dalë deri më tani për Ballukun janë të mjaftueshme, pasi akuzohet për 50 milionë euro vjedhje në tunelin e Llogarasë apo për mbi 1 miliardë në lidhje me rrugët e dëmtuara.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Prej dy javësh, Edi Rama përpiqet të varrosë krimin e tij më të shëmtuar, vendimin për bllokimin e hetimit dhe arrestimit të Lubi Ballukut për shkak se është vetë direkt autor i dosjes, ose protagonist kryesor i dosjes. Siç e shikoni, emri Balluku, Lubi apo Belinda, është i ndaluar të përdoret në studiot televizive. Nuk ekziston më në asnjë lajm, debat apo koment, akti më i rëndë në historinë e pluralizmit në Shqipëri. Grushti i shtetit, akti me të cilin Rama mor publikisht para shqiptarëve dhe komunitetin ndërkombëtar të gjitha pushtetet në një dorë, me të cilin asgjësoi një institucion i ngarkuar për akuzën e zyrtarëve imunitarë, në rast se ata përfshihen në vepra korruptive.

Akti me të cilin de facto i mbylli dyert integrimit evropian të Shqipërisë. Është shkalla më e lartë e censurës që do t’ia kishin lakmi edhe ajatullahët e Teheranit, censurë mediatike tejkalon çdo lloj. Kjo censurë, ky injorim i dosjes Balluku, de facto dosja Rama, tregon se për këto media, këta puthadorë të regjimit, interesi publik nuk ekziston paçka se ata janë aty për shkak të valës që është publike. Gjë tmerrësisht e rëndë, shkelmim flagrant i interesit publik të shqiptarëve dhe lakejve të Ramës e Ballukut që përpiqen në këtë rast të gjejnë opozitën se pse opozita u publikon dosjen.

Iu them këtyre puthadorëve të pafytyrë iu duken pak ju 50 mln euro të tunelit të Llogarasë. Pak iu duken 1 mld eurot në rrugë dhe dëshmitë e dokumentet se si janë ndërtuar 1 km me 20 mln euro, shpërndarja e tyre te Bolinot e stërbolinot. Pra, nuk ndalen te akti i grushtit të shtetit që bëri ndaj drejtësisë. Ato që janë publikuar për Ballukun janë të mjaftueshme siç tha Prokurori o mjeranë e puthadorë të Ramës. Përpiqen të errësojnë me këtë dosjen e tunelit të Llogarasë.

Në vend se mediat ta kenë çështje kryesore asgjësimin e sistemit të drejtësisë, merren me çështje krejtësisht të tjera. Problemi i tyre është se po proteston opozita. Nuk ka dështim më të madh dhe skllavëri ndaj regjimit se sa kjo. Dënoj me forcën më të madhe këtë censurë te vendosur me para e presion politik mbi mediat.


Shtuar 26.03.2026 13:55