Zbardhen detaje nga vrasja e 30-vjeçarit shqiptar në Itali, shkak një vajzë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 30-vjeçarit shqiptar Gjergj Pergegaj, në Itali, ku dyshohet se motivi lidhet me një konflikt për xhelozi.

Ngjarja u regjistrua rreth mesnatës mes 20 dhe 21 marsit, në zonën Olmo, pranë një klubi nate në Via Romana.

Sipas mediave italiane, i riu ishte ndalur për të biseduar me ish-të dashurën e tij, kur në vendngjarje mbërriti partneri aktual i saj, një tjetër shtetas shqiptar 35-vjeçar.

Pas një përplasjeje të çastit, 35-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të viktimës, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas krimit, autori u largua, por rreth dy orë më vonë kontaktoi vetë policinë, duke kërkuar të dorëzohej dhe duke treguar vendndodhjen e tij.

Ai u gjet në zonën e Rigutinos, ku u arrestua së bashku me armën e përdorur, e cila rezultoi pa leje.

Ndaj tij është ngritur akuza për vrasje me dashje, ndërsa hetimet vijojnë nën drejtimin e prokurorisë, për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes në Itali.


Shtuar 21.03.2026 14:53