Drejtorit të Rrogozhinës iu zbuluan tre mijë rrënjë kanabis në banesë, reagojnë Burgjet: E kemi pezulluar nga detyra

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pasi drejtorit i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa u shpall në kërkim nga policia në lidhje me zbulimin se në banesën e tij u gjetën të kultivuara 3 mijë rrënjë kanabis.

Burgjet bëjnë me dije se kanë pezulluar Hasën nga nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente.

Po ashtu Burgjet nënvizojnë se distancohen nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe thekson se mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit.

Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është vënë në dijeni nga mediat lidhur me rastin e drejtorit të IEVP Rrogozhinë, Bilal Hasa.

Në vijim të informacionit të marrë, Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarrë masa administrative të menjëhershme për pezullimin e tij nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente.

Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe thekson se mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit.


Shtuar 19.03.2026 18:56