Erion Veliaj në burg, raporti i studios ligjore: I jemi drejtuar DASH dhe Departamentit të Drejtësisë, të monitorojnë situatën

Në raportin e zyrës ligjore Kasowitz LLP që mbron kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kërkohet angazhim i qeverisë amerikane, e cila, sipas avokatit mbrojtës ka ofruar asistencë për krijimin dhe këshillimin e SPAK, për të hetuar dhe monitoruar situatën me kryebashkiakun.

“Mbështetja e SPAK-ut në lobim të ligjshëm për të justifikuar ndalimin e vazhdueshëm të paligjshëm të Kryebashkiakut Veliaj në Shqipëri është thellësisht shqetësuese”, tha Daniel Fetterman, partner në Kasoëitz LLP dhe këshilltar ndërkombëtar i Kryebashkiakut Veliaj.

“T’i drejtohesh qeverive dhe të flasësh publikisht për rastin tënd është një e drejtë themelore demokratike dhe jo një bazë për burgim ose ndëshkim. Pas më shumë se një viti paraburgimi dhe shkeljeve të tjera serioze të procesit të rregullt ligjor në rastin e Kryebashkiakut Veliaj, është e përshtatshme që qeveria amerikane, e cila ndihmoi në krijimin dhe këshillimin e SPAK-ut, të shqyrtojë se çfarë ka ndodhur dhe pse po ndodh kjo. Me anë të letrave drejtuar Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe Departamentit të Drejtësisë, kjo është pikërisht ajo që po u kërkojmë atyre të bëjnë”.

Raporti thekson dy çështje kyçe në procesin e Kryetarit Veliaj. E para bllokimi i qasjes në provat gjyqësore, ku theksohet se SPAK ka penguar Veliajn të ketë qasje dhe të rishikojë rreth 60,000 faqe provash, duke e vështirësuar përgatitjen e mbrojtjes së tij”.

Gjykata e Shkallës së Parë, e përbërë nga një panel prej tre gjyqtarësh, e ka kritikuar këtë praktikë, duke urdhëruar SPAK-un të dërgojë dosjen e provave dhe duke shtyrë fillimin e gjyqit me dy javë.

Megjithatë, sfida mbetet që Veliaj të përpunojë një volum kaq të madh materialesh brenda një periudhe të shkurtër.

“Për më tepër, SPAK ka kufizuar mënyrën dhe mjetet me anë të të cilave avokati i caktuar nga shteti i Kryebashkiakut Veliaj mund të flasë me të në lidhje me provat dhe të përgatisë mbrojtjen e tij. Gjykata e Shkallës së Parë e përbërë nga një panel prej tre gjyqtarësh hodhi poshtë sjelljen e SPAK-ut, duke udhëzuar SPAK-un që t’ia dërgonte dosjen e tij të provave Kryebashkiakut Veliaj për shqyrtim dhe duke e shtyrë gjyqin me dy javë. Ndërsa ky vendim përfaqëson një hap në drejtimin e duhur, mbetet për t’u parë nëse Kryebashkiaku Veliaj mund të shqyrtojë dhe përpunojë realisht një vëllim të konsiderueshëm provash brenda një periudhe të shkurtër kohore”, thuhet në raport.

Së dyti, justifikime të paarsyeshme për mbajtjen në paraburgim rë kryebashkiakut Veliaj.

“Kohët e fundit, SPAK përmendi aktivitetet lobuese të kryetarit Veliaj si bazë për të zgjatur paraburgimin e tij. Lobimi, megjithatë, nuk është ndër kriteret e përcaktuara për të justifikuar paraburgimin e një të pandehuri. Ekziston vetëm një arsye pse SPAK e ka përdorur atë për ta bërë këtë: për të ndëshkuar dhe hakmarrë ndaj kryetarit Veliaj për shprehjen e të drejtës së tij demokratike për të kërkuar peticion, gjë që në fakt ka ekspozuar shkelje të shumta të procesit të rregullt ligjor nga SPAK në rastin e tij”, thekson raporti.


Shtuar 13.03.2026 11:54