Reza Pahlavi, ish-princi trashëgimtar dhe biri i shahut të fundit të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i cili u rrëzua nga Republika Islamike në 1979, ka bërë thirrje për rrëzimin e regjimit aktual.
Në një postim në X (ish-Twitter), Pahlavi shkruan se vdekja e liderit suprem iranian nuk përbën “fundin” dhe i fton iranianët të “rrëzojnë” Republikën Islamike. Ai thekson se populli duhet të përgatitet për “prani masive dhe vendimtare në rrugë” dhe i inkurajon edhe të bëjnë thirrje dhe të brohorasin nga shtëpitë gjatë natës.
Më herët, Pahlavi kishte bërë thirrje për zyrtarët iranianë që të “dorëzohen”, si dhe për forcat e armatosura dhe organet e rendit që të përdorin armët e tyre për të “mbrojtur popullin e madh iranian” dhe jo “republikën e krimit”, me qëllim që “të përfundojë sa më shpejt makthi” i regjimit.
Gjatë protestave të fundit kundër qeverisë në Iran, Reza Pahlavi u shfaq si figurë kryesore e opozitës, dhe në disa zona demonstruesit brohorisnin emrin e tij si simbol të rezistencës ndaj regjimit.
