Dy prindër kanë mbetur të lënduar pasi janë sulmuar me sende të forta nga djali i tyre 37-vjeçar në fshatin Rrushkull, në Manëz të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur përballë banesës së familjes.
Nga të dhënat paraprake të policisë bëhet e ditur se djali, me inicialet E. K., ka probleme të shëndetit mendor. Ai ka ushtruar dhunë ndaj të atit, S. K., 72 vjeç, dhe së ëmës, F. K., 69 vjeçe.
Të lidhura
None found
Të lënduar nga goditjet, të dy janë dërguar për të marrë ndihmë mjekësore. Babai ka marrë dëmtime në kokë dhe, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është nisur për trajtim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Nëna po trajtohet në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku gjendja e saj është e stabilizuar.
Pas ngjarjes, Policia ka shoqëruar 37-vjeçarin në ambientet e saj për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të sulmit po vijon puna e grupit hetimor, e drejtuar nga Prokuroria.








