Vetëm 24-vjeç, Rubin Rredhi emërohet zv/drejtori i ri i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, vendimi me firmën e Ballukut?

Në portin më të madh në vend, është emëruar Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual, post i cili nuk ekzistonte prej disa vitesh, pasi ish-drejtori Pirro Vengu e pati hequr nga organograma e APD.

Zv/drejtori i ri i APD-së  është Rubin Rredhi, 24-vjeç. Emërimi i tij është bërë nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Nuk dihen eksperiencat e tjera profesionale të zv/drejtorit Rredhi, të cilit i besohet një detyrë shumë e rëndësishme, në një moshë kaq të re.

Ndërkohë, nuk është e qartë se kur është kryer emërimi i Rredhit në këtë detyrë, por me gjasë pasi Balluku mbeti përkohësisht në detyrë në kohën që qeveria ankimoi vendimin e GJKKO-së për pezullimin e saj, më 12 dhjetor 2025.

Më pas, më 6 shkurt të këtij viti, Kushtetusja doli me një vendim dhe la në fuqi vendimin e GJKKO-së, duke pezulluar Belinda Ballukun nga postet që mban.

Zv.drejtori i ri takim me delegacionin nga Forca e Kosovës (KFOR)

Një delegacion nga Forca e Kosovës (KFOR), ka zhvilluar një ditë më parë, 24 shkurt, një vizitë zyrtare në Autoritetin Portual të Durrësit.

Delegacioni është pritur nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Autoritetit, Rubin Rredhi.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e KFOR-it u njohën me proceset e përpunimit të mallrave dhe pasagjerëve, standardet e sigurisë, si dhe me rolin që luan porti në mbështetje të operacioneve logjistike dhe transportit detar në nivel kombëtar e rajonal.