Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një video ku tregon një bisedë telefonike me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi i cili po përballet me proces gjyqësor në Hagë për akuzat e ngritura nga Dhomat e Specializuara.
Rama telefonoi Thaçin për t’i uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është e vështirë emocionalisht, por sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij, duke ma përsëritur dy herë, në fillim e në fund, ‘Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush!’”, ka shkruar Rama.
Në videon e publikuar Rama i thotë Thaçit se është i shqetësuar shumë me këtë histori, derisa të njëjtin e quan vëlla.
“Jam shqetësuar shumë me këtë histori, vëllai im të përqafoj fortë, të dua shumë. Më vjen shumë keq që s’mund të bëj dot më shumë, por gëzuar dhe të përqafoj shumë fort dhe të fala atyre shokëve”, ka theksuar Rama në bisedën telefonike me Thaçin
Kjo bisedë telefonike tregon lidhjet personale dhe emocionet që mbajnë bashkë udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos në ditët e rëndësishme të historisë së vendit.
