Artan Hoxha: Zvarritja e çështjes nuk shpëton dot Ballukun, por i “blen” kohë Ramës, ja mesazhi që po i jepet SPAK-ut

Gazetari i njohur Artan Hoxha, teksa ishte i ftuar në “Kjo Javë” në News24, ka deklaruar se pavarësisht manovrave, nuk ka asgjë që e shpëton zëvendës kryeministren Belinda Balluku nga përballja me drejtësinë.

Sipas tij, edhe në rastin kur afatet përfundojnë dhe kalon periudha 3 mujore nga kërkesa e depozituar nga SPAK për arrestimin e saj, Prokuroria e Posaçme mund të bëjë një kërkesë të dytë me të njëjtin objekt.

Hoxha u shpreh se gjithçka po bëhet që të përfitojë kohë kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca, ndërsa hapat e ndërmarra me shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, deri në një vendim nga Gjykata Kushtetuese dhe me çuarjen në Kushtetuese të masës së sigurisë nga zv kryeministres, janë mesazh që i çohet SPAK se ku i ka “vijat e kuqe”.

“Ka media ku sa hyj në studio më thonë kujdes mos fol për Ballukun. Pra na kanë çuar në një situatë ku jemi bërë një vend qesharak. Kemi nr 2 të qeverisë që nuk kalon dot Qafën e Thanës.
Mazhoranca thotë pres vendimin e GJK, Kur çështja në Kushtetuese ëhstë për masë sigurie. Kërkesa e SPAK është komplet tjetër gjë. Nëse zvarritet çështja, afatet kalojnë dhe SPAK duhet të paraqesë një kërkesë të re.

Kjo kërkesë që ka shkuar në Kuvend e ka firmosur në porën e fundit në detyrë Altin Dumani dhe u mbrojt në Kuvend nga zoti Braho. Gjithçka që po ndodh nuk e shpëton Ballukut. Kjo i jep kohë tjetër kujt të marrë masa. Balluku është e pandehur, atë e shpëton vetëm gjyqi i themelit.
Gjithçka po ndodh është që po i tregohet kufiri SPAK, këta që janë janë dëshmorët e mjaftueshëm për t’i treguar ndërkombëtarëve për drejtësinë e re.

Balluku vetëm po mundohet të shtyjë datën e përballjes por nuk shpëton dot. Ai që përfiton është Rama dhe mazhoranca”, tha ai.


Shtuar 31.01.2026 08:30