Pëson dëmtime tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit (VIDEO)

Tuneli i Murrizit, një nga veprat më të mëdha infrastrukturore në Rrugën e Arbrit që lidh Qarkun e Dibrës me Tiranën, ka qenë sërish në qendër të vëmendjes, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tij.

Së fundmi, në afërsi të mesit të tunelit janë konstatuar dëmtime në anën lindore, kryesisht plasaritje dhe çarje të betoneve.

Lidhur me këtë problematikë, përfaqësues të kompanisë ndërtuese “Gjoka Konstruksion”, kanë deklaruar për News24 se dëmtimet kanë ardhur si pasojë e punimeve që po kryhen në tunelin e emergjencës.

Sipas tyre, distanca mes tunelit kryesor dhe atij të emergjencës është rreth 28–30 metra dhe ndërhyrjet teknike kanë ndikuar në lëvizjen e harkut të tunelit kryesor.

Megjithatë, kompania pretendon se këto dëmtime nuk paraqesin rrezik për sigurinë e qarkullimit dhe nuk cenojnë qëndrueshmërinë e veprës.

“Tuneli monitorohet vazhdimisht me aparatura të specializuara dhe deri më tani nuk ka asnjë tregues për përkeqësim apo dëmtime të mëtejshme”, bëjnë me dije përfaqësuesit e saj.

Sipas kompanisë, pas përfundimit të plotë të punimeve në tunelin e emergjencës, dëmtimet e konstatuara në tunelin kryesor do të riparohen.

Gjatë fazës së ndërhyrjeve, qarkullimi i automjeteve pritet të realizohet përmes tunelit të emergjencës, për të garantuar vijimësinë e trafikut dhe sigurinë e përdoruesve të rrugës.

Tuneli i Murrizit, ka qenë shpesh objekt kritikash, veçanërisht për shkak të vonesave të shumta në përfundimin dhe vënien në funksion të tij.

Autoritetet dhe kompania ndërtuese kanë justifikuar këto vonesa me vështirësitë e mëdha që lidhen me strukturën gjeologjike të zonës, e cila ka paraqitur sfida të vazhdueshme gjatë punimeve.

Rruga e Arbrit ka kushtuar rreth 450 milionë euro. Kjo shifër përfshin tunelin dhe segmentet e tjera të aksit që lidh Tiranën me Dibrën.

Në raportime të tjera më të hershme për projektin, investimi fillestar për këtë pjesë ishte rreth 350 milionë euro, por vlera e tij është rritur gjatë punimeve për shkak të vështirësive gjeologjike dhe zgjatjeve të kontratave.


Shtuar 28.01.2026 15:20