Qyteti i Napolit shquhet për incidente, tifozi i Çelsit plagoset para ndeshjes së Championsit

Ditën e djeshme, një tifoz anglez i Çelsit është plagosur në Napoli, pasi iu afrua një grup të rinjsh në Piazza Santa Maria la Nova.

I plagosuri u trajtua në Spitalin Veçhio Pellegrini për një plagë (nga një objekt i mprehtë, ndoshta një kaçavidë) në vithe dhe doli nga spitali.

Sipas Shtabit të Policisë, nuk ka tifozë të tjerë anglezë të lënduar. Rreth 250 tifozë të Çelsit u raportuan në qytet mbrëmë, dhe pritet të mbërrijnë edhe më shumë sot.

Policia njoftoi se është krijuar një grup i përbashkët sigurie për të monitoruar zonat kryesore të qytetit, duke përfshirë stacionin e trenit dhe qendrën e qytetit.

Klubi londinez gjithashtu, u bëri thirrje tifozëve të tregojnë kujdes të madh ndërsa janë në qytet dhe të marrin parasysh këshillat e ndara përpara kësaj ndeshjeje, duke pasur parasysh se qyteti italian ka një histori të gjatë incidentesh në të cilat tifozët vizitorë janë shënjestruar nga ultrasit e Napolit.

Sipas klubit, afërsisht 2,500 tifozë të Çelsit kanë blerë bileta për ndeshjen.


Shtuar 28.01.2026 10:56