E trishtë/ Ndahet nga jeta ish-gjyqtari i njohur (EMRI+FOTO)

Ish-gjyqtari Albano Çepele, është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë.

Albano Çepele, nuk arriti që të triumfonte në betejën e ashpër me sëmundjen e rëndë, duke mbyllur sytë përgjithmonë.

Ish-gjyqtari Çepele, u diplomua në vitin 1997 dhe një vit më pas nisi karrierën si gjyqtar në Gjykatën e Tropojës, ku shërbeu deri në vitin 2003.

Më pas ai u transferua në Gjykatën e Shkodrës, ku për gati dy dekada ushtroi funksionin e gjyqtarit, deri në shkëputjen nga sistemi i drejtësisë në vitin 2023.

Në vitin 2020, Çepele u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për çështje që lidhen me pasurinë, vendim që u la në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në vitin 2023.

Procesi i Vettingut ndaj tij u shoqërua me debate, pasi vetë gjyqtari dhe mbrojtja ligjore kishin argumentuar se ai vuante prej vitesh nga probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundje të rënda kronike.

Lajmi për humbjen e tij, ka sjellë reagimin edhe të avokatez, Sabina Mete, e cila e ka përshkruar gjyqtarin si një njeri të drejtë dhe human, përtej funksionit që mbante.

Ajo gjithashtu, është ndalur edhe te mënyra se si u trajtua gjyqtari gjatë procesit të Vettingut, duke theksuar se u largua padrejtësisht nga sistemi dhe se familja e tij u vu përballë vështirësive të mëdha ekonomike dhe shëndetësore.

Ish-sekretarja e tij, aktualisht avokate, Sabina Meta, duke njoftuar vdekjen e të ndjerit, tregon:

“Albano Çepele ka ndërruar jetë. Për ata që nuk e njihnin, Albanoja ka punuar si gjyqtar në Shkodër. Ka qenë një njeri i drejtë, i ndershëm, korrekt dhe i pakorruptuar. Këtë e them me bindje të plotë, pasi kam qenë sekretarja e tij.

Albanoja, para se të ishte gjyqtar, ishte human. Respektonte çdo qenie njerëzore, duke filluar nga kolegët, gjyqtarët, prokurorët, avokatët, sekretarët, sanitarët dhe palët ndërgjyqëse.

Karakterizohej nga qetësia dhe butësia, zemërgjerësia dhe humanizmi, por fatkeqësisht u largua padrejtësisht nga sistemi i vettingut, pasi nuk justifikonte pasurinë e tij, vetëm një shtëpi…
Familja e tij shiti shtëpinë në Fier dhe bleu një në Tiranë shumë e shumë vite më parë, por sipas komisionit të vettingut, ai nuk meritonte të kishte as shtëpi (pavarësisht se kishte punuar shumë kohë më parë emigrant). Madje, as familja e tij nuk meritonte të kishte shtëpi.

Albanoja nuk kishte as lekë për ilaçe, të cilat i merrnin të gjithë rrogën, për sa kohë ishte i punësuar.
Kur e larguan nga sistemi, nuk kishte as mundësi për trajtim shëndetësor.

Ndjej një keqardhje të madhe për mikun dhe kolegun tim. Të qoftë dheu i lehtë, o njeri i mirë. Qofsh i parajsës. Shpirti yt pushof­të në paqe. Jam e sigurt se tashmë je në një botë më të mirë se kjo që le pas.

Ky vend, këta njerëz nuk të merituan.

Qofsh mirë me Zotin, Albano.

Më fal nëse nuk mora vesh më parë që paske qenë sëmurë rëndë, nuk piva një kafe me ty dhe nuk kisha dijeni për largimin tënd nga jeta, pasi sapo e mora vesh. Ma bëj hallall. Pushofsh në paqe, o njeri i ndershëm, i urtë dhe i mirë”.

 

 


Shtuar 26.01.2026 09:48