Adriatik Llalla thyen heshtjen pas largimit nga Shqipëria/ Flet për dënimin, “non gratën” nga SHBA dhe përplasjen me Donald Lu

Nga drejtues i Prokurorisë së Përgjithshme dhe i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla përfundoi vetë në bankën e të akuzuarve.

Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, ish-kryeprokurori ka vendosur të flasë publikisht, në një intervistë ekskluzive në Top News.

Të lidhura

None found

Në rrëfimin e tij të parë pas largimit nga Shqipëria, Llalla ka folur për vendimin e autoriteteve italiane për të mos e ekstraduar, dënimin në Shqipëri, shpalljen “non grata” nga SHBA, përplasjen me ish-ambasadorin Donald Lu dhe kritikat ndaj Reformës në Drejtësi.

I pyetur për vendimin e Gjykatës së Romës, e cila i njohu të drejtën për të mos u ekstraduar në Shqipëri, Llalla e lidh fatin e tij me atë të të atit, i cili gjatë komunizmit ishte dënuar si agjent i CIA-s amerikane.

“Autoritetet italiane, gjykatat italiane më njohën të drejtën për mosekstradimin tim në Shqipëri. Duke parë që vendimi ishte jobindës, pra duke dhënë një dënim të rëndë për një vepër të tillë penale, autoritetet, duke vlerësuar edhe gjendjen time relativisht të rëndë shëndetësore, vendosën mosekstradimin tim në Shqipëri. Sa i përket babait, sikur na ka ndjekur i njëjti fat”, u shpreh ai.

Një nga momentet më interesante të intervistës ishte përgjigjja e Llallës për faktin se si ndihet kur ish-vartësit e tij e hetuan dhe më pas e dënuan. Ish-kryeprokurori pretendon se çështja e tij është trajtuar në mënyrë të paragjykuar dhe se ndaj tij është përdorur një standard i ndryshëm nga ai i zyrtarëve të tjerë.

“Nëse do të bëhej një hetim dhe gjykim i paanshëm, rasti im nuk do të kishte përfunduar në të tilla rrethana”, u shpreh Adriatik Llalla .

Ai theksoi se ajo që e bind edhe më shumë për paragjykimin e çështjes është fakti se zyrtarët e tjerë të hetuar për vepra të ngjashme nuk janë dënuar me burgim.

“Në asnjë rast tjetër të zyrtarëve të lartë apo të çdo zyrtari të hetuar apo ndëshkuar për një çështje të tillë nuk është dhënë dënim me burgim. Gjithmonë janë dhënë dënime të tjera alternative, si gjobë, dënime me kusht apo dënime të tjera alternative më të buta. Kjo më krijon bindjen edhe më të madhe se rasti im është një rast i veçantë, i trajtuar në mënyrë paragjykuese”, u shpreh Llalla .

Por ironia e historisë së tij lidhet me faktin se vetë Adriatik Llalla, gjatë kohës kur drejtonte ILDKPKI-në, kishte kërkuar ashpërsimin e dënimit për mosdeklarimin e pasurisë, vepër për të cilën u dënua më vonë.

I pyetur nëse është bërë pishman për këtë nismë, Llalla pranoi se kishte qenë vetë iniciatori i ndryshimit ligjor.

“Është e vërtetë, iniciativa ligjore për ndryshimin e ligjit për mosdeklarimin e pasurive është kërkuar prej meje. Në fakt, kërkova ashpërsimin e masës nga gjobë deri në tre vjet burgim. Mora shkas sepse shumë zyrtarë i shmangeshin deklarimit të pasurive. Ashpërsimi i dënimit i detyroi të ishin më të përgjegjshëm përpara institucionit të deklarimeve dhe kontrollit të pasurive”, tregoi ai për Top News.

Duke iu referuar faktit se përfundoi vetë i dënuar për këtë vepër, Llalla u shpreh me një fjali që përmbledh ironinë e situatës: “Realisht, unë isha vetë iniciatori, vetë unë që u ndëshkova. E respektoj vendimin e gjykatës, pavarësisht mendimeve të mia”.

Ish-kryeprokurori ka dhënë edhe qëndrimet e tij për Reformën në Drejtësi. Ai thotë se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve që hartuan reformën, por ka marrë pjesë në tryeza diskutimesh, ku ka shprehur rezervat e tij për mënyrën se si do të organizohej sistemi i ri.

“Mendimi ndryshe, realisht, në Shqipëri nuk vlerësohet, por shihesh si kundërshtar i të gjithëve. Të gjithë duhet të kthehen dhe të bëhen pjesë e diskutimit se si mund të përmirësohet dhe jo të dëmtohet puna e institucionit”, deklaroi Llalla.

Ai nuk i kurseu kritikat as për mënyrën se si funksionon sot prokuroria, duke u shprehur se decentralizimi nuk ka sjellë rezultatet e pritshme.

“Mënyra se si sot është organizuar dhe funksionon sistemi i drejtësisë, sidomos prokuroria e zakonshme, tregon se kjo mënyrë organizimi dhe decentralizimi i institucionit nuk ka sjellë përmirësim, por ka sjellë mosfunksionim normal të punës së institucionit”, tha ish-kryeprokurori.

Sa i përket çështjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Llalla nuk e konsideron atë një rast përndjekjeje politike.

“Jo, rasti i Tahirit ishte një rast normal që u ndoq nga prokuroria dhe gjykatat përkatëse. Nuk mendoj se ishte rast përndjekjeje”, u shpreh ai .

Llalla mohoi gjithashtu të ketë pasur presion politik gjatë ushtrimit të detyrës si Prokuror i Përgjithshëm, duke theksuar se zgjedhja e tij në krye të institucioneve ishte mbështetur nga të dyja palët parlamentare.

“Në punën time nuk kam pasur asnjëherë një sulm politik nga mazhoranca apo opozita. Përkundrazi, në të dyja rastet jam miratuar me pëlqimin e të dyja palëve parlamentare. Nuk kam pasur votë kundër. Nuk kam ndjerë gjatë ushtrimit të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm presion nga njëra palë apo tjetra”, deklaroi ai.

Një tjetër temë e fortë ishte shpallja “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendim për të cilin Llalla hedh dyshime mbi arsyet dhe rrethanat që e çuan në këtë situatë. Ai nuk përjashton mundësinë që përplasjet me ish-ambasadorin amerikan Donald Lu, veçanërisht për Reformën në Drejtësi, të kenë ndikuar.

“Ajo që dua të theksoj është fakti: A mund të përbënte Shqipëria rastin e parë në botë të shpalljes non grata të një zyrtari? Shqipëria si shtet, ndërkohë që bota ka probleme më të mëdha, zyrtarë të korruptuar, të dënuar, dhe a mund të isha unë rasti i parë në botë?”, pyeti Llalla.

Ai pretendon se pas përfundimit të mandatit ndaj tij nisën hetime për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin, por në fund çështja përfundoi me akuzën për mosdeklarim pasurie.

“Krahas përplasjeve me ambasadorin, debateve kryesisht lidhur me Reformën në Drejtësi, çdo gjë mund të ketë ndikuar. Ndaj meje, me përfundimin e mandatit, filluan hetimet për një sërë çështjesh penale, përfshirë korrupsionin, por përfundoi në mosdeklarim pasurie”, u shpreh ish-kryeprokurori.

Llalla shtoi se i është drejtuar edhe Departamentit Amerikan të Shtetit për të kërkuar shpjegime, por përgjigjja që ka marrë nuk e ka bindur.

“I jam drejtuar Departamentit të Shtetit, përgjigjja erdhi, vendimi është marrë mbi bazën e opinioneve që ka. Por realisht deri në atë periudhë nuk ka pasur asnjë shkrim në gazetë apo media që të etiketohem për korrupsion”, tha ai.

I pyetur se çfarë do t’i thoshte sot Donald Lu-së nëse do ta kishte përballë, Llalla u përgjigj shkurt:

“Nuk do të preferoja të isha më pjesë e debatit me atë zyrtar. Unë pata provuar çfarë është mendimi ndryshe me të dhe nuk dua më të jem pjesë e debatit”.

Në fund, ish-kryeprokurori komentoi edhe vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e cilësoi si të padrejtë, duke deklaruar:

“Është një vendim totalisht i padrejtë që merret përsëri ndaj shqiptarëve, popull gjithmonë i persekutuar nga Perëndimi. U gjet sërish dikush që shqiptarët të ishin të ndëshkuar”, u shpreh Adriatik Llalla.


Shtuar më 6.11.2026 23:23

güvenilir bahis siteleriBursa Escortgüvenilir bahis sitelerijojobetgüvenilir bahis sitelerigüvenilir bahis sitelerijojobetjojobet girişjojobet güncel girişjojobetjojobet girişjojobet güncel giriştürkiye yasal bahis sitelerislot sitelerijojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişGrandpashabetkahraman haberdeneme bonusu