Termometri zbret në -35 gradë Celsius në Lapland/ Mijëra turistë të bllokuar, shkak pezullimi i fluturimeve nga i ftohti ekstrem

Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar në Lapland të Finlandës, pasi një valë e pazakontë të ftohti ekstrem ka çuar në pezullimin e fluturimeve nga aeroporti i Kittilës.

Temperaturat kanë zbritur deri në -35 gradë Celsius, duke detyruar autoritetet të anulojnë të gjitha nisjet e planifikuara ditën e diel.
Fluturimet nga Kittila, që do të transportonin turistët drejt destinacioneve si Londra, Mançesteri, Bristoli, Parisi dhe Amsterdami, u anuluan për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Situata pritet të vijojë edhe të hënën, pasi agjencia meteorologjike finlandeze parashikon temperatura deri në -39 gradë Celsius, ndërsa fluturimi i parë i ditës është anuluar tashmë.

Sipas operatorit të aeroporteve Finavia, i ftohti ekstrem po e bën të pamundur shkrirjen e akullit nga avionët, ndërsa pajisjet e furnizimit me karburant dhe mirëmbajtjes në tokë rrezikojnë të ngrijnë. Lagështia e lartë në ajër po e përkeqëson më tej situatën, duke krijuar ngrica të rrëshqitshme.
Edhe pse Laplanda njihet për dimra të ashpër, temperaturat aktuale janë shumë më të ulëta se mesatarja sezonale, e cila zakonisht është rreth -14 gradë Celsius, me rënie sporadike deri në -30 gradë. Aeroporti i Kittilës shërben kryesisht turistët që vizitojnë vendpushimet e skive dhe Dritat Veriore, ndërsa aeroporti i Rovaniemit, më në jug, është një tjetër pikë e rëndësishme turistike. Edhe aty është raportuar anulimi i të paktën një fluturimi.
Fluturimet nga dhe drejt Kittilës janë anuluar edhe të premten dhe të shtunën, ndërsa moti i acartë ka rritur ndjeshëm rrezikun në rrugë. Autoritetet paralajmërojnë për kushte të rrezikshme akulli në rajon.
Ndërkohë, i ftohti ekstrem në Lapland vjen në një kohë kur një stuhi e fuqishme ka përfshirë Evropën Veriore, duke shkaktuar ndërprerje udhëtimesh dhe probleme serioze edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani. Në Angli raportohet për një viktimë nga rrëzimi i një peme, ndërsa rreth 100 mijë banesa mbetën pa energji elektrike në Francë


Shtuar 11.01.2026 23:14