Moti i keq/ Përmbyten qindra hektarë tokë në qarkun e Shkodrës, disa banesa kanë prezencë uji

Rreshjet intensive të shiut dhe moti i keq kanë përmbytur qindra hektarë tokë, në qarkun e Shkodrës. Në Bashkinë Shkodër vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj. Ndërkohë që strukturat e Emergjencave Civile, po monitorojnë nga afër zonat me prezencë uji.

Në fshatin Reze e Vështit ka prezëncë uji, ndërsa po vijon pastrimi i kanaleve dhe rregullimi i rrugës pranë Përroit të Thatë në fshatin Kamicë. Në fshatin Vukpalaj raportohet prezencë uji në një banesë.

Reshjet e shiut në Bashkinë Fushë Arrëz vijojnë me intensitet të lartë dhe si rezultat, kanë shkaktuar përkeqësim të situatës në disa rrugë rurale. Në njësitë administrative Iballe, Fierzë, Blerim dhe Qafë Mali, si pasojë e vërshimit të ujërave në rrugë, kanë shkaktuar dëmtimin e tyre.

Lumenjtë Drin, Buna, Kir, Gjadër, si dhe përrenjtë Glinë dhe Përroi i Thatë, kanë rënie të prurjeve dhe të nivelit të ujit. Ndërsa, Diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqet rrezik dëmtimi apo përmbytjeje. Hidrovoret e Velipojës, në Vilun dhe Cas, janë në gatishmëri dhe funksionojnë me kapacitet të plotë


Shtuar 7.01.2026 17:50