Avokati Artan Gjermeni tregon arsyet pse hoqi dorë nga mbrojtja e Erion Veliajt

Ditën e sotme, avokati Artan Gjermeni, ka dhënë dorëheqjen nga mbrojtja për kryebashkiakun Erion Veliaj. Teksa ishte i ftuar në News24, Gjermeni tregoi arsyen e vendimit të tij, që vjen pas rrëzimit të kërkesës së avokatit nga gjykata për t’u njohur Veliaj me aktet ne dosje.

Avokati tha se me çështjen e Veliajt nuk po respektohet procedura, ndërsa shtoi se për një dosje voluminoze me 62 mijë faqe, është e pamundur që të përvetësohet për një kohë kaq të shkurtër sa i ka lënë në dispozicion gjykata.

“U realizua një kërkesë me disa pika, që është parashtruar nga zoti Veliaj. Kërkesat ishin; heqje e menjëhershme të masës për të qëndruar në kafaz, që sipas Gjykatës së të Drejtave të njeriut në Strasburg ishte poshtëruese. Shtyrjen e procedurave, deri sa të njihej me aktet. Praktikat i referohen Gjykatës së Strasburgut. Avokati me të pandehurin ka një pamundësi që të komunikojë përmes kafazit. Kjo e drejtë është konsideruar si cënim nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut. Kemi kërkuar që të njihemi dhe me dosjen. Janë 61 mijë faqe dhe nuk ka mundësi që të lexosh për kaq pak kohë dosjen dhe t’ia përcjellësh të pandehurit.

A ka ndjenjë besimi ai ndaj avokatit në këtë rast? Kam dhënë dorëheqje nga çështje, por nuk kam hequr dorë nga puna, deri sa avokatja të nisë detyrën e saj. Jam nga jurist që kurrë në jetën time s’do të reflektoj me nota negative ndaj gjykatës. Por ky ishte shkaku që dhashë dorëheqje. Kur një avokat nuk realizon dot veprimet elementare të të pandehurit të tij, nuk ia vlen të vijohet. Ça përfitojmë ne që të shtyjmë gjyqin? Se kështu dhe mund të flitet. Apo që të kalojë ditëlindjen në burg? Apo dhe Krishtlindjet. Na është vënë në dispozicion afati 1 mujor. Ligji është shkruar keq”, u shpreh ai.


Shtuar 12.12.2025 15:12