Pas dorëheqjes së Elsa Toskës nga detyra e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë ka nisur zyrtarisht procedurat për plotësimin e vendit vakant. Toska ishte larguar nga posti vitin e kaluar.
Sipas procedurave kushtetuese, kandidatët që shprehin interes do të shqyrtohen fillimisht nga Komisioni i Ligjeve, ndërsa më pas vlerësohen dhe renditen me pikë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED). Afati i aplikimeve është një muaj nga momenti i hapjes së garës.
“Njoftim për rishpalljen nga Kuvendi të hapjes së procedurës së aplikimit për vendin vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të mbarimit të mandatit të ish-gjyqtares Elsa Toska”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Përzgjedhja në Kuvend kërkon 84 vota. Në rast se asnjë kandidat nuk arrin këtë shumicë të cilësuar, automatikisht emërohet kandidati që ka marrë më shumë pikë nga KED.
Gjyqtari i ri që do të zgjidhet nga Kuvendi do të ketë mandat të plotë 9-vjeçar.
